Organizatori i “Miss Universe Albania”, Eduart Deda, ishte i ftuar pasditen e sotme në emisionin “Rudina” ku foli për jetën e tij nga futbolli tek spektakli i bukurisë. Ai dha një mesazh të mirë për të rinjtë shqiptarë nëpërmjet eksperiencës së tij, duke treguar sesi arriti t’i realizojë ëndrrat duke punuar fort. Deda tregoi se këtë vit, “Miss Universe Albania” dhe “Miss Universe Kosovo” do të mbahen së bashku. Do të zgjidhen dy vajza përfaqësuese për të Kosovën dhe Shqipërinë, që do të na përfaqësojnë më tej në “Miss Universe” në botë. Ogranizatori tregoi se “Miss Universe Albania & Kosovo” do të mbahet më datën 18 të muajit shtator në “Adrion Palace”.

Ai premtoi se do të jetë një mbrëmje madhështore dhe shtoi se tashmë vajzat konkurrente janë zgjedhur. Madje, dy javë më parë kanë nisur edhe xhirimet si dhe janë zgjedhur prezantueset e këtij edicioni. Kësaj here, në moderimin e konkursit të bukurisë do të jenë dy ish-Miss Universe Albania, Adrola Dushi dhe Xhesika Berberi. Përsa i përket emergjencës Covid-19, Eduart Deda u shpreh se po shpresojnë për më të mirën, që situata t’i kthehet normalitetit. Mirëpo, edhe në rast përkeqësimi të gjendjes, do të mendohet një zgjidhje për realizimin e “Miss Universe Albania & Kosovo 2020”.