Koronavirusi vijon përhapjen me ritme të shpejta, por rastet e shtuara nuk duhet të na frikësojnë. Gjatë një analize të infektimeve ditët e fundit, epidemiologu Ilir Alimehmeti thotë se nuk kemi përkeqësim të situatës dhe tregues kryesor, sipas tij, janë shifrat e shtrimeve në spital.

“Sytë duhen mbajtur tek shtrimet spitalore. Gjatë këtyre 5 ditëve, variacioni i rasteve ka qenë 52, 47, 50, 50, 53. Ajo që bie në sy është se janë shtuar rastet e intubuara, por kanë qenë pacientë në gjendje të rëndë, të ardhur nga shërbime të tjera”, thotë Alimehmeti.

Në lidhje me humbjet e jetëve ditët e fundit, Alimehmeti thotë se kanë qenë pacientë në gjendje të rëndë shëndetësore, më parë të shtruar në shërbime të tjera në QSUT, por, pas infektimit, u trajtuan në Spitalin Infektiv. Ndërsa për qendrën spitalore “Nënë Tereza”, e kthyer në vatrën më aktive dhe burimin e përhapjes së Covid-19 edhe në qytete të tjera, mjeku sugjeron kryerjen e tamponit për çdo pacient para se të hyjë në spital.

“Me shifra testimesh 80 apo 100 në ditë nuk ia dalin dot këtij spitali, pasi virusi kalon nga një repart në tjetrin dhe është e kotë. Limiti ditor i testimeve në Laboratorin e Virologjisë është 500-600 dhe sërish nuk ia del dot me QSUT. Është nevoja që të rritet kapaciteti i testimeve dhe këto analiza të kryhen edhe në laboratorin e QSUT”, tha Alimehmeti.

Edhe pse situata nuk duket alarmate, epidemiologu Alimehmeti mbështet fort idenë e respektimit të masave, të cilat duhet të jenë pjesë e stilit të jetës: “Bëhuni më pak ballkanikë dhe më shumë gjermanë, distancë, higjienë për të ulur transmetimin e virusit”. 608 të prekur janë ende aktivë me koronavirus, por, sipas mjekëve, pjesa më e madhe po e kalojnë lehtë sëmundje në shtëpi ose janë asimptomatikë.