Trajneri i Tottenhamit, Jose Mourinho, i ka hedhur poshtë spekulimet për prishjen e marrëdhënieve mes tij dhe Tanguy Ndombeles, pas fitores së vështirë të Tottenhamit kundër West Hamit, duke thënë se francezi s’ishte titullar në dy ndeshjet e fundit sepse ai s’e ndjeu nevojën për të. Tanguy Ndombele, i cili vitin e kaluar u bë lojtari më i shtrenjtë në histori të Tottenhamin me transferimin nga Lyoni në vlerë prej 60 milionë eurosh, mbeti sërish në bankën rezervë, në fitoren me rezultat 2:0 të martën, transmeton Gazeta Express.
Megjithatë, gazetat franceze kanë raportuar se mesfushori i kishte thënë trajnerit Mourinho se nuk dëshiron të punojë më me të. Por, Mourinho i hodhi poshtë të gjithë lajmet për prishje të marrëdhënieve mes dyshes. “Jo, në stol ishin Tanguy, [Ryan] Sessegnon, Toby [Alderweireld], [Jan] Vertonghen. Kush tjetër? Gedson [Fernandes] dhe ata nuk luajtën dhe ky është futbollit. Për mua, s’ka asgjë”, tha Mourinho. “Unë kam lojtarë sulmues në stol, si Erik Lamelan dhe Harry Winks, që janë dy lojtarë të mrekullueshëm për t’i inkuadruar në lojë dhe, duke luajtur në krah, ata mund të na ndihmojnë më shumë”.
“Dhe sa u përket pesë zëvendësimeve… njerëzit mendojnë se jemi të detyruar t’i bëjmë nga pesë zëvendësime. Nuk është e nevojshme t’i bësh pesë, thjesht e ke mundësinë ta bësh këtë”. “Nuk vlen vetëm për të, unë tentoj ta bëj më të mirën për skuadrën time. Nuk mund ta nis ndeshjen me 12 apo me 13 lojtarë, thjesht tentoj ta bëj më të mirën për skuadrën”. “Nganjëherë unë u kërkoj falje lojtarëve që nuk janë opsioni im më i mirë sepse mendoj se meritojnë më shumë sesa që mund t’u jap unë në bazë të punës që e bëjnë në stërvitje. Por, unë duhet ta bëj punën time dhe mendoj që s’pata nevojë për të në këto dy ndeshje”.