Mbrëmjen e djeshme në emisionin “Provokacija” me gazetarin Mustafa Nano ishte i ftuar muzikanti dhe kompozitori i njohur Elton Deda.
Në bisedën e zhvilluar me gazetarin Nano, Elton Deda u shpreh se muzikantët profesionistë dhe të mirë në Shqipëri kanë ardhur duke u pakësuar gjithnjë e më tepër, dhe se gjithnjë e më tepër muzika prodhohet me stil të njëjtë oriental.
Sipas artistit, Shqipëria ka mundësi të prodhojë këngëtarë, dhe artistë të mirë, por se politikat dhe strategjitë nuk janë të duhurat, e si të tilla ato nuk lejojnë të zhvillohen më tej, deri në kapërcim, pse jo, edhe të kufijve.
Për artistin, duhet ndryshuar mentaliteti i muzikës që prodhohet dhe duhet parë drejt civilizimit perëndimor duke prodhuar modele dhe gjëra të reja.
Elton Deda: Ëndrrat tona atë kohë ka qenë që të ishim “Deep Purple” të Shqipërisë apo “Led Zeppelin”, grupe me peshë. Nuk është se jam zhgënjyer, kemi ndjekur linjën tonë nuk kemi bërë shumë kompromis dhe sot e kësaj dite vazhdojmë të marrim frytet e punës tonë. Mendoj që në një moment artisti është edhe ëndërrimtar por bëhet edhe pragmatist. E mira është që idetë në çdo vend i vogël apo i madh, duhet ti thuash.
Mustafa Nano: Ju keni patur një parantezë amerikane, është kohë e humbur apo e fituar?
Elton Deda: Absolutisht kohë e fituar. Çdo eksperiencë mendoj për çdo njeri që del jashtë Shqipërisë, është kohë e fituar është eksperiencë, të sjell me këmbë në tokë.
Mustafa Nano: Në tregjet e mëdha ku ka kompeticion, ai që del në krye është më i zoti, është gjithmonë kështu?
Elton Deda: Në tregun jashtë ka disa parametra dhe të dhëna që nuk të lënë të gabosh plus që varet edhe nga lidhjet dhe mundësitë që ke për të pasur arritje. Unë kam jetuar në New York edhe është një xhungël e vërtetë. Takoja çdo ditë artistë që punonin kamerierë dhe punonin në punë të rëndomta, ditën punonin dhe natën bënin audicione.
Mustafa Nano: Vitet e fundit kemi patur edhe afirmim të këngëtarëve shqiptarë në botë, siç është Dua Lipa etj…
Elton Deda: Kemi nevojë të jemi në tokën duhur sepse farën e kemi. Mjafton të tregoj eksperiencën time në “The Voice of Albania” ku për 3 vjet kam parë çudira. Vajza dhe djem të rinj që këndonin shumë bukur ndaj thashë që e rëndësishme është se në çfarë toke do të mbillet kjo farë, çfarë zone të ujitet, si do kujdesen njerëzit dhe fatkeqësisht në Shqipëri jemi pak ngadalë në këtë pikë. Kjo nuk është ankesë por një realitet që duhet ta pranojmë të gjithë. Është një vend i vogël me mentalitet ballkanik. Këtu ekziston një treg pa lidhje që nuk zhvillohesh dot. Unë e konsideroj këtë pasojë si të ardhur zinxhir gjatë viteve që pas 90’, që nga politika, strategjitë e ndjekura për të ndihmuar artin. Artisti gjithmonë e do një sponsor sepse ka kosto.
Në momentin që ka një politikë të shëndoshë, e cila krijon një strategji për artin, sigurisht që ka edhe art të mirë, duhet të ketë një strategji të mirë sepse ndryshe do përfundojmë kështu si kemi përfunduar. Ne kemi shumë pak këngë që kanë një poezi të mirë, shumica e atyre që qarkullojnë janë tepër vulgare. Është e frikshme sepse kur flasim për artin, flasim për formën më të lartë të estetikës njerëzore. Tregu i lirë nuk ka nevojë të frenohet, tregu i lirë rregullohet me ndërgjegjësimin edhe të muzikantëve edhe të politikave. Aktivitetet duhet të fillojnë nga morali, në fund të fundit ka shumë moral brenda, arti jep mesazhe përmes tij. Shumica e njerëzve janë të lodhur, të varfër dhe arti jep mesazhe për t’ja pakësuar këto.
Mustafa Nano: Artistë më A të madhe sa mund të jenë në Shqipëri?
Elton Deda: Mendoj që kemi pasur shumë dhe nga viti në vit fillojnë e pakësohen. Pjesa më e madhe e asaj që prodhohet nuk bën. Në çdo klub që shkojnë servilet e njëjta muzikë. Duhet ndryshuar mentaliteti, ka gjëra të reja në këtë botë, ka gjëra shumë të bukura, nuk është vetëm një model. Kemi gjetur model të keq, këngët që dëgjojmë në radio kanë të njëjtin beet, të njëjtin tekst, të njëjtën muzikë, si turke e përzier me otoman dhe kjo nuk është e mirë nëse do shohim civilizimin perëndimor.