Nga Alfred Peza/

Pas marrëveshjes për reformën zgjedhore, vëmendja e liderëve, partive politike, opinionit publik dhe medias, ka nisur të zhvendoset tek projeksioni i garës për zgjedhjet e reja të 2021. Është drafti i firmosur në tryezën e Këshillit Politik nga mazhoranca dhe opozita, që ta jep këtë mundësi, e të bën vetëvetiu që ta kuptosh këtë moment si startin për rrugëtimin që është përpara deri në ditën e votimit.

Realiteti është se nga ana e majtë e spektrit të politikës shqiptare, nuk ka enigma, surpriza, apo lëvizje teknonike të tilla që do të ndikonin në komplikimin e skemës së lojës. Sepse këto dy mandate qeverisje, ndryshe nga 8 vitet e shkuara të qëndrimit në pushtet (1997-2005) nuk e kanë përçarë PS. Jo vetëm duke mos krijuar realitete të reja, siç ishte rasti i krijimit të LSI të Ilir Metës më 2004 vetëm një vit para zgjedhjeve.

Sëmundja e së majtës përballë opozitës së atëhershme të Sali Berishës, ishte përçarja e thellë e brendshme e PS, debatet publike të zhvillimeve partiake që shkonin përtej mesazhit emancipues e demokratizues të politikës. Kjo solli krijimin e disa qeverive të njëpasnjëshme socialiste përgjatë dy mandateve, të cilat përfshinë brenda tyre, disa dhjetra e dhjetra figura kryesore dhe periferike. Por pa arritur që ta ruanin dot kohezionin e brendshëm, stabilitetin, vijimësinë dhe kompaktësinë e nevojshme politike, përballë një opozite më shumë se agresive.

Kjo e çoi atëherë PS në opozitë dhe riktheu PD në pushtet. Një histori që dukshëm nuk po përsëritet këtë radhë, në asnjë prej formave të saj. Ndaj edhe pozitat e Partisë Socialiste dhe Kryetarit të saj Edi Rama, janë më të forta se kurrë përballë opozitës. Sepse ajo që nuk po ndodh në mazhorancë, ka kohë që ka nisur që të gërryejë, ta fragmentarizojë dhe ta shkërmoqi në mënyrë të pandalshme jo vetëm Partinë Demokratike vetë, por të gjithë spektrin politik opozitar.

Kjo ka bërë që në skenë të dalin çdo ditë e më tepër, aktorë dhe faktorë të rinj, personazhe të njohur a të panjohur, qëndrorë apo periferikë. Sikundër personalitete të rëndësishme, pjesë e jetës aktive të së sotmes politike, apo të historisë së afërt të PD, së djathtës shqiptare dhe opozitarizmit ndaj të majtës në përgjithësi. Më shumë sesa një shenjë zgjimi, është një sinjal i qartë, copëzimi. Në vend të një përpjekje për të maksimizuar fuqinë opozitare rreth një lideri, një partie, një grupimi, një programi, një qëllimi dhe një ideje, po ndodh e kundërta.

Ndaj sa më shumë që po i afrohemi periudhës së nisjes së përgatitjeve konkrete për zgjedhje, aq më shumë ndihen në skenën politike lëvizjet për aleanca, për marrëveshje, për ekipeve, për kalkulime, për skema, për taktika dhe strategjinë që do të ndiqet nga liderët politikë, për të arritur objektivat dhe qëllimet politike të forcave që drejtojnë. Ajo që duket qartë që tani, është kontrasti i thellë mes kompaktësisë dhe qartësisë të së majtës dhe amullisë totale të së djathtës.

Kjo bën që të rritet enigma rreth mënyrës sesi opozita jonë do të ballafaqohet në këto kushte përballë PS dhe Kryeministrit Edi Rama. Deri tani, ajo që e dominon gjithë dinamikën e zhvillimeve në opozitës është dalja në skenë çdo ditë e lëvizjeve të reja, të cilat në mungesë të fuqisë dhe dëshirës së Lulzim Bashës për ti bashkuar të gjithë në një front të vetëm, po kërkojnë që të faktorizohen. Duke u përpjekur që të gjejnë zgjidhjet më të mira për opozitën, në kushtet aktuale të krijuara, nga rrudhja e përditshme e frontit të saj.

Jozefina Topalli, Myslim Murrizi, Astrit Patozi, Agron Duka, Rudina Hajdari, Lefter Koka, Kreshnik Spahiu, Nimet Musai, Edmond Stojku, Kujtim Gjuzi, Lefter Maliqi, Ralf Gjoni, e shumë e shumë emra të tjerë politikanësh, prej javësh e muajsh, janë bërë pjesë e një realiteti të shtuar publik përmes medias. Ato janë thjeshtë maja e personifikuar e aisbergut të asaj çfarë po ndodh realisht thellë pjesës së saj të padukshme, brenda PD në veçanti dhe të së djathtës shqiptare në përgjithësi.

Çfarë pritet të sjelli ky trend i ri zhvillimesh, më pak se 10 muaj nga zgjedhjet e reja parlamentare, kjo mbetet për tu parë. E sigurtë është që shumëkush po flet gjithnjë e më me bindje që tani, për atë që deri pak javë më parë, dukej si një herezi: Fitoren e mandatit të tretë nga PS dhe Edi Rama. Ndërsa opozita ndodhet para enigmës së saj më të madhe politike. Se si do ta zgjidhë, kjo mbetet për tu parë. E sigurtë është vetëm se, sa më shumë emra të përveçëm dalin në skenë, aq më të vështirë do ta ketë!