OBSH tha të premten se nisma globale për të përshpejtuar zhvillimin dhe prodhimin e testeve të covid 19, vaksinave dhe trajtimeve do të kërkojë më shumë se 30 miliardë dollarë, mes të cilëve, 27.9 miliardë duhen mbledhur gjatë vitit të ardhshëm.
Një vaksinë e covid 19 e krijuar nga Astra Zeneca, me gjasë është kandidatja kryesore dhe më e avancuara nga të gjithë opsionet që aktualisht janë në zhvillim – tha OBSH ndërkohë që edhe vaksina e modernas nuk qëndron shumë larg. Me qindra vaksina po zhvillohen kundër covid 19 edhe pse vetëm një numër i vogël kanë hyrë tani në fazën e testimit tek njerëzit.
Një ditë më parë, Franca dhe Gjermania njoftuan se do t’i japin më shumë fonde Organizatës Botërore të Shëndetësisë në kuadër të përpjekjeve të saj kundër pandemisë së koronavirusit. Premtimet erdhën pasi takimit në Gjenevë të drejtorit të Përgjithshëm të OBSH-së me ministrat e shëndetësisë të të dy vendeve për të diskutuar mbi masat e marra ndaj krizës globale. Ministri gjerman i Shëndetësisë Jens Spahn tha se Berlini synonte t’i jepte këtë vit më shumë se 560 milionë dollarë në ndihmë financiare si dhe pajisje OBSH-së, ndërsa vendi po përgatitet të marrë presidencën e radhës së Bashkimit Evropian. Kjo mbështetje ndaj OBSH-së duhet së pari të miratohet nga parlamenti sipas Spahn, i cili shtoi se qeveria është optimiste se kjo gjë do të ndodhë në fillim të korrikut. Franca tha se do t’i japë rreth 100 milionë dollarë Qendrës Kërkimore të OBSH-së në Lion, si dhe një kontribut shtesë prej 56 milionë dollarësh. Muajin e kaluar Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se SHBA do t’i “ndërpresë” marrëdhëniet me OBSH, duke e akuzuar organizatën se kontrollohej nga Kina.