Atë që studiues italianë e pohonin prej disa kohësh, OBSH-ja tashmë e zyrtarizon: gjasat që asimptomatikët, pra personat që duken dhe ndihen të shëndetshëm, të infektojnë të tjerët me koronavirus, janë shumë të vogla.
“Duket se është mjaft e rrallë që një person asimptomatik ta transmetojë më tej sëmundjen”, tha epidemiologia Maria Van Kerkhove, udhëheqësja teknike e OBSH-së për koronavirusin. Ajo përsëriti se koronavirusi përhapet përmes pikave të pështymës, të cilat mund të lëshohen kur dikush kollitet ose teshtin. Komentet e saj përputhen me ato që ekspertët paralajmërojnë prej muajsh: pjesa dërrmuese e përhapjes së koronavirusit ndodh përmes kontaktit të qëndrueshëm të ngushtë mes personave në ambiente të mbyllura – në shtëpi, zyra, kisha, spitale dhe ambiente të tjera ku njerëzit mblidhen për orë të tëra në një kohë dhe fluksi i ajrit është i kufizuar. Dhe ata që janë në dukje të shëndetshëm, e nuk përhapin spërkla, duket se nuk janë kërcënim gjatë pandemisë. Por duhet bërë kujdes, sipas mjekëve, të cilët kërkojnë të shihen me kujdes rastet e atyre që mund të duken si asimptomatikë, e ndërkohë, në fakt, janë raste të buta të sëmundjes, shenjat e së cilës tek ata, me pak më shumë vëmendje, arrijnë të dallohen.
Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, deklaroi më herët se ndonëse situata pas shpërthimit të koronavirusit në Evropë është përmirësuar, “në nivel botëror është duke u përkeqësuar”. Ai u tha gazetarëve që më shumë se 100,000 raste të infektuara janë raportuar në nëntë nga 10 ditët e fundit, dhe se 75 përqind e rasteve të një dite më parë kanë ardhur nga vetëm 10 shtete – shumica prej tyre nga Amerika dhe Azia Jugore.