Kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla ka folur sot për mediat pas publikimit të dy opinioneve paraprake të Komisionit të Venecias për paketën antishpifje dhe emërimet në Gjykatën Kushtetuese. Balla tha sot se i qëndron strikt asaj që është thënë më herët duke i sugjeruar çdo institucioni dhe Presidentit të mos komentojnë draftet e papërfunduara.
“Dua t’i qëndroj strikt asaj që kemi thënë. I sugjeroj çdo institucioni tjetër përfshirë dhe institucionit të presidentit kurrë të mos komentojnë draftet e papërfunduara por të presin opinionet përfundimtare. Pas dy javësh do kemi opinionet përfundimtare.
Komisioni i Venecias do të zhvillojë seancën për dy drafte, njëri i kërkuar nga institucionet shqiptare. Dua të falënderoj Këshillin e Europës dhe dy këshilltarët që kanë kërkuar opinionin e Komisionit të Venecias.
Ju ftoj të mos bëni lapsuse kur thoni ‘opinioni paraprak ka rrëzuar…’ Sa kohë është paraprak nuk rrëzon. Bashkëndaj vlerësimin e ambasadës së SHBA-ve që kurrë të mos bëjmë vlerësime apo opinione mbi opinione paraprake”, deklaroi Balla.