Zëvendësministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Olti Rrumbullaku inspektoi sot punimet e realizuara në konviktin e vajzave në Gjirokastër, financim bujar i Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), i cili do të mirëpresë vitin e ardhshëm akademik rreth 130 studente. Rikonstruksioni total i godinës ka përfshirë mobilimin e çdo dhome sipas kushteve më bashkëkohore me blloqe tualeti nëpërmjet sistemit të ujit të ngrohtë kaldajë-panel diellor-energji elektrike.
Godina ka dhoma gatimi të kompletuara, lavanderi me të gjitha pajisjet e nevojshme, mensë të kompletuar sipas të gjithë parametrave, izolim termik, sistem mbrojtje kundër zjarrit dhe dalje emergjence etj. Në kuadër të “Paktit për Universitetin” u zbatuan projekte infrastrukturore për të gjitha konviktet dhe universitetet publike në Shqipëri. Rreth 10 mijë studentë janë ata që do të akomodohen në këto kushte moderne në qytetet Tiranë, Shkodër, Vlorë, Gjirokastër, Korçë dhe Elbasan.