Ekipet shumëkombëshe në misionin më të madh kërkimor në Arktik, kanë qenë të përgatitur për probleme që variojnë nga sulmet e arinjve polarë e deri tek stuhitë e borës. Por, ata nuk e kishin imagjinuar kurrë, që një pandemi që do të përhapej në të gjithë globin, do të kërcënonte misionin e tyre.
“Ne kemi shumë skenarë të ndryshëm dhe plane alternative”, thotë Markus Rex, që kryeson misionin Mosaic për AFP nga Spitsbergen, ishulli kryesor në arqipelagun Svalbard. “Por, një pandemi globale e kësaj shkalle, ishte diçka që ne nuk e prisnim. U desh të bënim plane të reja shumë shpejt”.
Me kufijtë e mbyllur ndërsa qeveritë tentojnë të kufizojnë përhapjen, ekipi në mision ishte thuajse i izoluar. Një ekip tjetër duhej të mbërrinte në prill, për të ndihmuar shkencëtarët atje, por plani u rimendua. Pas dy muajsh vonesë, një ekip i ri do të udhëtojë drejt Spitsberhenit me dy anije dhe atje do të bëhen bashkë me akullthyesen Polarstern për të lejuar të rinjtë që të zbresin dhe ekipin aktual të ngjitet në bord.
Ekspedita aktuale, 390 ditore, nisi në shtator.
Misioni synon të studiojë atmosferën, oqeanin, akujt, ekosistemin dhe proceset natyrale, në përpjekje për të kuptuar se si ndryshimet e klimës po prekin rajonin dhe botën. Rreth 600 ekspertë janë përfshirë në projektin më të madh kërkimor në arktik. Dhe që andej, shkencëtarët kanë parë pandeminë të përhapet, në distancë. Fatmirësisht, ata nuk kanë patur probleme me furnizimin me ushqime, pasi kanë patur rezerva të mjaftueshme për disa muaj. Por, të gjithë kanë patur familjet në tokën më të ngrohtë, dhe shqetësimi ka qenë i madh.