Sipas “Tuttosport”, Paulo Dybala dëshiron të qëndrojë gjatë te Juventusi, mbase të bëhet një simbol i tij, duke ndjekur rrugën e shokut më të mirë, Del Piero. Kjo është arsyeja pse, përballë interesimit informal të PSG, milionave të ofruara prej sheikëve nga Katari, ai u përgjigj pa hezitim: Jo, faleminderit! Një “kopje” e asaj që ndodhi verën e kaluar, kur Dybala ishte një hap larg Manchester United. Argjentinasi refuzoi milionat e “Djajve të Kuq”, duke ndryshuar edhe destinacionin e Romelu Lukaku, i gatshëm të pranonte ofertën e Juventusit, në kuadrin e një shkëmbimi të ideuar mes dy klubeve.
Ndoshta në këtë rast situata është më pak spektakolare, sepse tashmë nuk ka asnjë operacion të nisur, por vetëm interesim të parizienëve për të hetuar disponueshmërinë e mundshme të “Joya”. PSG do të ndërtojë një ekip edhe më konkurues për sezonin e ardhshëm, pasi u shpall kampion para kohe në Francë, ku kampionati u mbyll prej “Coronavirus”, ndërsa është kualifikuar në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Synimet e Dybala duken shumë të forta për të mbetur bardhezi, ndërkohë që ka filluar të negociojë rinovimin me Juventusin.
Një negociatë që buron nga qëllimi i përbashkët për ta zgjatur “martesën”, edhe pse bisedimet kanë ecur ngadalë për shkak të pandemisë Covid-19. Kufizimet në lëvizje i kanë penguar përfaqësuesit e tij që të mbërrijnë në Torino nga Argjentina, por rinovimi nuk duket e do të hasë në vështirësi të mëdha. Qëllimi i Dybala është të qëndrojë sa më gjatë të jetë e mundur te bardhezinjtë, ndërsa ekziston edhe vullneti i klubit për ta mbajtur atë dhe për ta shndërruar në liderin kryesor të ekipit, sidomos sa i përket imazhit.