Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë së Librazhdit Kastriot Gurra inspektuan përfundimin e punimeve të kanalit vadites ne fshatin Kuturman. Për shkak edhe të terrenit të vështirë, investimi tashmë është bërë me tuba, të cilët janë nën tokë dhe si rrjedhim jetëgjatësia e këtij investimi do të jetë më e sigurte.
“Kjo është një vepër shumë e rëndësishme përsa i përket infrastrukturës bujqësore të Bashkisë Librazhd. Bashkë me kryetarin e Bashkisë prej disa vitesh kishim bërë të gjitha përpjekjet për të rivendosur në punë kanalin e vjetër, por ai kanal nuk mund të rikuperohej dhe u desh që në pjesën më të madhe të një segmenti 17 km të ndërhyhej tërësisht dhe ky investim do të jetë përfundimtar.
Do të qëndrojmë në krye të punimeve dhe nuk do të marrim në dorëzim objektin nëse ai nuk do të jetë sipas standardeve”, deklaroi Balla. Ndërsa kryetari i Bashkisë Kastriot Gurra në fjalën e tij vuri në dukje se ky ishte një angazhim i marrë që në ditën e parë në detyrë. “Ka qenë angazhimi ynë që ditën e parë në administrimin e punëve të bashkisë për të bërë të mundur dërgimin e ujit vaditës në çdo parcelë. Fshati Kuturman ka një sipërfaqe toke të konsiderueshme, 380 ha tokë dhe me këtë investim do t’u vijmë në ndihmë banorëve të atij fshati. E rëndësishme është që ai problem që ka ekzituar prej vitesh tashmë është zgjidhur.”, tha Gurra. Edhe fermerët e zonës e cilësuan jetik këtë investim të kërkuar prej shumë vitesh, pasi fshati merret vetëm me bujqësi.