Nga Artur Ajazi

E ndërsa Lulzim Basha ka firmosur marrëveshjen për zgjedhoren, duket se “çirakët” e tij, aleatët e partiçkave të vogla, po përgjërohen për “pak” pushtet. Në daljet e tyre të shpeshta në medie, ata po ripërsërisin lutjen dhe definicionin e tyre se “ka ardhur koha për rrotacion pushteti, Rama duhet të largohet, Basha do të jetë kryeministër”. Sa qesharake. Ka prej tyre që shprehen se “Berisha, Dashi, Grida, Flamuri, apo dhe Fatmir Mediu, duhej të ishin në Parlament, pasi janë një zë i fuqishëm i opozitës”.

Kur e dëgjon këtë deklaratë edhe nga goja e një aleati, (dikur me PS dhe sot me PD) të cilin Berisha sa ishte në opozitë por edhe në pushtet, nuk i la gjë pa thënë nga “kontrabandist dhe i korruptuar” dhe deri tek “klani i Zemunit”, kjo duket e pabesueshme dhe përgjëruese. Ndoshta do të duket si “risi”, por ata të cilët mezi presin, që Lulzimi të marrë “pushtetin” dhe të bëhet i pari qeverisë, nuk janë demokratikasit, sa janë aleatët e PD.

Ata po luten, po bëjnë plane biznesi, po bëjnë madje edhe propogandë me ngjyrime servilizmi, që në zgjedhjet e 2021 të ketë “rrotacion pushteti”. Aleatët e SHQUP-it, gjysma e të cilëve janë me mandate kryetari partie prej 30 vitesh, duhet thënë se ja kanë parë “hairin” pushteteve, nga Berisha-1, pastaj tek Nano-1 dhe 2, dhe pastaj sërish tek Berisha 1 dhe 2, pasi ngritën biznese, vunë goxha pasuri të tundshme dhe të patundshme, vunë goxha para, aq sa ka prej tyre, që kanë vila dhe biznese brënda dhe jashtë vendit.

Po ka prej tyre, që kanë shitur makineri, pajisje uzinash dhe fabrikash, tanked he municione luftarake, dhe kanë blerë me “letra me vlerë” troje dhe toka në bregdet. Dhe hajde pastaj, mos kërkojë pushtet ky “soj” që vetëm politikë nuk di të bëjë. E vërteta është se gjatë këtyre 30 viteve demokraci, “hairin” pushteteve më tepër se kushdo, ja kanë parë këta që sot hiqen, dhe sillen sikur janë “aleatë” apo “bashkëqeverisës pushteti”.

Pas çdo mandati qeverisës të dy partive të mëdha, “aleatët” janë ngjitur pas pushtetit si “mjalti pas këpucës”, dhe nuk u janë ndarë derisa kanë marrë 2-3 ministri, 10-15 drejtori, 5-6 prefektë dhe dhjetra drejtorë në rrethe, duke i kthyer pastaj institucionet në celula korrupsioni. Mjafton të kujtojmë, çfarë bënë me pushtetin, PR, PDR, LSI, PDK, PDIU, apo dhe ndonjë partiçkë tjetër, për tu bindur sa parazitë dhe negativë janë në politikën shqiptare “aleatët”.

Realisht në Shqipëri, rraca e “aleatëve” sidomos ajo e partiçkave të vogla, pa asnjë anëtar, është shpikje e vjetër. Pas vitit 1992, ishte Partia Demokratike, ajo që klonoi partitë “aleate”, me kukulla vitrine, me emra të panjohur , duke i bërë kryetarë fiktivë dhe të përjetshëm, për ti përdorur si leva qorre, në fushata elektorale, protesta dhe tryeza pazaresh. Ata çdo fundmandati, sytë e veshët i mbajnë nga pushteti, pasi mëndjen e kanë tek biznesi dhe pasuria, por në fakt nuk janë gjë tjetër, veçse “ogiçë” të (pa) shkëputur pas PD në oborrin e zbrazur të SHQUP-it.