Bashkia Përrenjas po pastron 14 km kanale kulluese në fushën e Domosdovës, një nga më pjelloret në vend që po degradonte vit pas viti, për shkak të bllokimit të tyre. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ndoqi nga afër punimet që po kryhen në këto kanale kulluese që ishin shndërruar në venddepozitim mbetjesh. “Rikthimi në punë i bashkisë Përrenjas, pas zgjedhjeve vendore të 30 Qershorit, po dëshmohet çdo ditë me punë dhe problematika që nuk ishin adresuar prej shumë vitesh. Ndërsa bashkia Përrenjas po pastron 14 km kanale, po merr zgjidhje edhe trajtimi i mbetjeve urbane, të cilat do të trajtohen në impiantin e mbetjeve në Elbasan”, tha Balla.

Ai theksoi se “një ndër çështjet më të rëndësishme të punës nisur me vrull në bashkinë Përrenjas është garantimi i kanaleve kulluese përveç atyre vaditëse. “Fusha e Domosdovës një prej fushave më pjellore në vend, për shkak të degradimit të kanaleve të kullimit, gjithmonë ishte kthyer në një fushë e cila përmbytej për shkak të ujërave që vijnë nga zonat përreth. Por, një prej arsyeve lidhet me faktin se një pjesë e banorëve kanë hedhur mbetjet e tyre në kanal dhe kjo solli vit pas viti bllokimin e tij”, tha Balla.

Ai vlerësoi se “në Përrenjas kemi vëmendje të shtuar për pastrimin e të gjitha kanaleve kulluese, ndërkohë që qeveria ka pasur në vëmendje kanalet vaditëse”. “Garantoj çdo banor të zonës që bashkia është 100% e fokusuar. Më në fund pas shumë vitesh kemi një bashki në Përrenjas 100% në punë. E rëndësishme është që banorët të sensibilizohen që të mos hedhin më mbetje në kanalet e kullimit. Ky është krim mjedisor”, tha Balla.

Ai theksoi se “bashkia Përrenjas me mbështetjen e qeverisë do të subvencionohet që mbetjet të transportohen në impiantin e Elbasanit dhe aty të përpunohen”. “Të gjitha bashkitë e qarkut Elbasan duhet të kenë prioritet mbrojtjen e mjedisit. Ne jemi me fat që në Elbasan kemi një impiant të trajtimit dhe përpunimit të plotë të mbetjeve urbane”, tha ai.