Ministri i Shtetit për Diasporën Pandeli Majko u shpreh në një intervistë televizive se po diskutohen disa modele për votën e diasporës. “Nuk besoj se ne jemi duke bërë ndonjë shpikje për të cilën duhet të bëjmë ndonjë strategji super të veçantë. Po diskutojmë gjëra të cilat vendet e tjera i kanë bërë përpara nesh. Si anëtar të Këshillit të Europës besoj se jemi ndër 3-4 vendet e fundit që nuk aplikojmë votimin e shtetasve jashtë vendit. Ekzistojnë të gjithë metodat dhe modelet që Shqipëria të zgjedhë një prej tyre. Janë treguar që janë funksionalë dhe nuk kanë bërë ndonjë histori, nuk kanë shkruar ndonjë histori negative në zgjedhjet kur ato janë aplikuar”, tha Majko.

“Mendoj që nga ana jonë tani për momentin kërkohet vetëm një vullnet i të gjitha palëve, bazuar dhe në marrëveshjen që është firmosur në Këshillin Politik zhvilluar mes dy opozitave dhe mazhorancës dhe jam shpresëplotë se do të kemi një konkluzion pozitiv”, tha ai. “Ana negative e vetme është mungesa e besimit reciprok dhe njëlloj tensioni i brendshëm që ekziston para zgjedhjeve, por kjo në Shqipëri është një atmosferë me të cilin jemi mësuar nuk ndodh për herë të parë”, u shpreh Majko. I pyetur për modelet që po diskutohen, Majko tha se, “po diskutojmë modele, por besoj se fjalën e fundit do ta japin negociatat me opozitën dhe vendimmarrja e Komisionit të Reformës Zgjedhore. Janë diskutuar modele. Për shembull modeli që është ofruar nga grupi i ekspertëve të qeverisë që është ngritur për këtë qëllim vitin e kaluar është që të votohet sipas ndarjes në 12 qarqe. Ekspertët e Komisionit të Reformës për të thjeshtuar modelin kanë menduar që të ndjekin modelin kroat dhe modelin polak dhe lituanez për të votuar në një qark që është qarku i kryeqytetit. Gjithsesi këto janë çështje që do të diskutohen dhe do të jenë pjesë e negociatave normale dhe me opozitën”.

I pyetur se cilët shtetas shqiptarë që janë jashtë vendit mund të votojnë, Majko tha se, “definicioni është shtetas me banim të përhershëm jashtë vendit. Të gjithë shtetasit quhen me vendbanim jashtë vendit kur kanë më shumë sesa 3 muaj jashtë vendit. Është një definicion shumë teknik dhe besoj se kjo është e zgjidhshme. Nuk ka kategori duhet të kesh 10 vjet, 15 vjet, 2 vjet apo kaq kohë që të fitosh të drejtën e votës. Mjafton që të aplikosh për të shprehur vullnetin dhe bëhesh pjesë e listës së votuesve për të votuar. Sipas metodave që ekzistojnë, sipas modeleve të vjen zarfi dhe ti pas kësaj dërgon zarfin për t’u numëruar në KQZ”. I pyetur nëse kjo gjë është e komplikuar, Majko tha se, “në Shqipëri ka vetëm një gjë të komplikuar që është ankthi i politikanëve që s’dinë të humbasin, por duan vetëm të fitojnë”. I pyetur për modelet që po shihen për mënyrën e votimit, Majko tha se, “përgjithësisht konsensusi është për të votuar me postë. Besoj që kjo është e rëndësishme të thuhet sepse ka mjaft vende që kanë një numër të rëndësishëm të shtetasve tanë jashtë vendit ku nuk e lejojnë votimin me kuti. Kanë legjislacionin e tillë, nuk e lejojnë. Kështu që votimi me postë është e vetmja alternativë. Dhe për të pasur një procedurë për të gjitha shtetet, dhe kjo është e rëndësishme që të mos ketë diferencime të natyrave që mund të krijojnë konflikte me vende të tjera, mendoj që zarfi mbetet oportuniteti më i mirë”.

“Ne në vlerësimet që kemi bërë që në 2018, në informacionin që i kemi dërguar Komisionit të Reformës Zgjedhore, u kemi propozuar që dhe çështjen e zarfeve për arsye të paragjykimeve të mos e bëjë posta shqiptare, por një kompani ndërkombëtare, e trajnuar apo që është e provuar që ka ndjekur situata të tilla dhe që nuk vjen në Shqipëri për të lënë emrin me situatat e çuditshme që krijojnë politikanët shqiptarë, por do të mbrojë të drejtën e vet si kompani ndërkombëtare dhe të drejtën e shtetasve jashtë vendit që do të votojnë”, theksoi Majko. I pyetur nëse e shikon të mundshme këtë gjë për t’u realizuar, Majko tha se, “është KQZ që do të përcaktojë detajet teknike. Nëse ka një diskutim është sesa detaje legjislative ne do të vendosim në Kodin Zgjedhor, me qëllim që kQZ në një moment të dytë të mos krijojë çudira duke thënë që nuk kam referenca të qarta ligjore në Kodin Zgjedhor. Ka modele funksionale dhe këto modele janë të shkruara në kodet zgjedhore të vendeve respektive. Prandaj ne vetëm duhet të ndjekim sugjerimet e modeleve funksionale që ekzistojnë në vendet anëtare të Këshillit të Europës. Nuk duhet të bëjmë ndonjë shpikje as juridike as praktike. Mendoj që po të ndjekim këto modele kjo do të krijojë një qetësi besoj të pranueshme edhe midis palëve për të kuptuar se po aplikojmë një të drejtë të vonuar të shtetasve tanë jashtë vendit”.

I pyetur nëse një model i tillë është shkruar nga PS për ta vënë në tryezën e diskutimit, Majko tha se, “nuk është modeli i PS”. “Duke qenë se ne pamë një tejzgjatje të procesit për arsye të krizës politike, në një moment opozita u largua, pastaj patëm situata të tjera të procesit të zëvendësimit të deputetëve, pamë që situata po ekzagjerohej në funksion të vonimit të procesit. Kështu që pas informacionit të dhënë në 2018, pas aktivitetit që bëmë me OSBE për këtë çështje dhe që thirrëm ekspertë të huaj, u detyruam krijuam një grup të veçantë, me një urdhër të veçantë të kryeministrit, me ekspertët më të mirë të të gjitha institucioneve shtetërore të interesuara në këtë çështje. Duke filluar nga Ministria e Jashtme, Ministria e Brendshme, tek INSTAT dhe duke studiuar modelet kemi depozituar që vitin e kaluar pranë Komisionit të Reformës një model me të cilin filluam edhe intervistën sesi mund të votohet. Megjithatë jemi të hapur. Komisionit të Reformës Zgjedhore i takon ta thotë fjalën e fundit. Atë çfarë ne i kërkuam komisionit të reformës ose i ofruam ishte që këto ndryshime, janë ndryshime të cilat nuk kërkojnë ndryshime të Kushtetutës dhe kjo ka shumë rëndësi sepse dëgjoj histori të natyrave të ndryshme sesi mund të votohet, apo trajtohet një model. Por duhet të jemi të kujdesshëm sepse shpesh duke avancuar me modelet do të na duhet që të ndryshojmë, kjo prek dhe rregullat e Kushtetutës. Dhe kjo pastaj besoj se do të ishte goxha e sforcuar”, u shpreh Majko.

I pyetur nëse është e mundur të realizohet vota e diasporës në këtë klimë mosbesimi, Majko u shpreh se, “nuk diskutohet mundësia dhe pamundësia kur vlerësohet respektimi i një të drejte kushtetuese. Besoj që ne nuk shtyjmë apo anulojmë zgjedhjet se nuk ka besim apo se ka një frikë mos manipulohet. Derisa ne do shkojmë në zgjedhje edhe me frikën e manipulimit zgjedhor, le të shkojmë dhe me këtë frikë manipulimi duke ua dhënë shtetasve tanë jashtë shtetit këtë të drejtë”. “Është shumë cinike që në emër të frikës për manipulimin e zgjedhjeve ne ti themi shtetasve tanë jashtë vendit prisni dhe pak se ne nuk jemi gati që t’ju numërojmë votat. Dhe besoj që kjo do të ishte legjitimim i frymës së manipulimit në Shqipëri. Një dobësi e të gjithë sistemit elektoral dhe politik në Shqipëri. Kur je në opozitë, e ke të natyrshme të kesh kujdes, por nuk mund të bllokosh të drejtën kushtetuese. Sigurisht e drejta kushtetuese në vitet ’90, kur statusi i qytetarëve tanë jashtë vendit ishte pothuajse midis fjalëve refugjatë apo emigrantë, sot që flasim janë mbi gjysmë milioni shtetas shqiptarë që kanë pasaportën e vendeve të BE. Dhe në këtë këndvështrim besoj se kemi të bëjmë me pjesën më të maturuar të shoqërisë shqiptare. Nuk ka bandit, lek apo politikan që të shkojë t’u bëjë presion apo histori të natyrave të tilla. Kështu që në të kundërt unë nuk mendoj se vota e diasporës është e rrezikuar nga fryma e manipulimit. Mendoj që vota e diasporës është më e sigurtë sesa vota në frymën e konceptit a do manipulohet, a do fusë njeri duart, a do hapet zarfi të futet një letër tjetër. Nuk besoj se historia e manipulimit në Shqipëri është e tillë. Është pak më e sofistikuar dhe jo kaq naive”, tha Majko.a