Sali Berisha ka dhënë mbrëmjen e djeshme një intervistë argëtuese për gazetarët Çim Peka, Andi Beja dhe Enton Abilekaj, të cilët ishin pozicionuar përballë tij duke pritur që ta gozhdonin. Ishte argëtuese jo shumë për mesazhet që u përcollën, por për dy anët e medaljes të një standardi gazetarie e cila dukshëm e bënte qesharak këtë profesion apo më saktë zbulonte qasjen e analistëve tanë përballë aktorëve të ndryshëm të politikës. Nëse do të shohim me vëmendje pyetjet e adresuara, se gazetarët u kujdesën që t’ja adresonin me kujdes, ëmbëlsi dhe profesionalitet të lartë.

Përveç faktit se pikëpyetjet e ngritura dukshëm të bënin të dyshojë se i kishte shkruar Berisha me dorën e tij, edhe ato pak ndërhyrje që bënin vetë gazetarët ishin argëtuese pasi nuk guxonin të bënin asnjë kundërshti të përgjigjeve që jepte Berisha duke u dakortësuar me çdo gjë. Ajo që të bën veçanarisht përshtypje, ishte momenti kur ish kryeministri nisi të shiste mediatikisht demontimin e armëve në Shqipëri si histori suksesi.

Ai tha se si Gërdeci ishin shumë vatra dhe qeveria e tij u përpoq t’i demontonte me sukses. Fundja Berishën e dimë se çfarë është dhe çfarë ka mbjellë në këtë vend, të mira apo të këqija qofshin. Ajo që të godet më tepër është heshtja e gazetarisë në këtë moment ku në studio nuk pati asnjë reagim përveç vështrimit adhurues që shigjetohej mbi artikulimin e Berishës. Nuk është çështja e mungesës së leksioneve të gazetarisë dhe as paaftësisë së gazetarëve për të përcjellë pyetje zhbiriluese, pasi po të njëjtët gazetarë kur kanë pasur përballë të tjerë personazhe i kemi parë agresivë, i kemi parë me pyetje gozhduese, i kemi parë edhe me nota të jashtëzakonshme ironie.

Edhe pse Berisha ka llogari të hapura me shqiptarët dhe pyetje që ende nuk i ka dhënë përgjigje, qershia mbi tortë e të gjithë intervistës ishin disa meraqe që gazetarët kishin për shëndetin e Berishës apo si e kaloi pandeminë. Tani ose Berishën po e trajtojnë si një pensionist që duhet trajtuar me respekt për shkak të moshës, ose po e trajtojnë si Nexhmije Hoxhën që deri në fund të vde kjes nguruan t’ja bëjnë pyetjet që ende mundojnë çdo shqiptar. Gjithësesi, e vetmja pyetje që mungoi dhe mund të përvetësohet intervistën e radhës ishte “Po pse je kaq i mirë o doktor?”. Kjo mbase do t’i shkonte më shumë Çim Pekës meqë i kanë lënë në dorë çelsat e portalit. (Marrë nga TemA)