Vijojnë në të gjithë qarkun e Beratit kontrollet e pandërprera nga ana e policisë, për respektimin e protokolleve të sigurisë, për parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19. Gjatë paradites së sotme ka qenë vetë Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Berat Neritan Nallbati që ka ndjekur nga afër operacionin policor anti-covid dhe së bashku me drejtues të tjerë të Policisë ka inspektuar në terren zbatimin e protokolleve të sigurisë. Si rezultat i kontrolleve të ushtruara, policia e Beratit ka ndëshkuar me masë administrative dy subjekte private “fasoneri” pasi ka rezultuar se gjatë transportit publik të punonjësve të firmave përkatëse, në mjete ka pasur më shumë persona sesa lejohet sipas protokollit të sigurisë në këtë situatë pandemie.
Drejtori i DPV-së Berat, Neritan Nallbati ka deklaruar se strukturat e policisë së Beratit në bashkëpunim edhe me Task-Forcën dhe grupet e monitorimit që janë krijuar po vijojnë kontrrollet në çdo strukturë fasonerie, në çdo biznes dhe në ambiente publike, për të siguruar jo vetëm zbatimin e protokolleve por edhe moslejimin e grumbullimeve në rrugë e parqe. Ai ka konfirmuar se nga ana e policisë po monitorohen nga afër për respektimin e karantinimit edhe 2 rastet që vijojnë të jenë aktive me Covid-19, një në qytetin e Beratit dhe një në Urë-Vajgurore.
I pyetur nga gazetarët në lidhje me një organizim të djeshëm ku nxënësit e një gjimnazi në Berat janë përpjekur të organizojnë mbrëmjen e maturës, Nallbati ka deklaruar se pasi është njoftuar për këtë event policia e ka ndaluar zhvillimin e tij. “Strukturat e policisë do të monitorojnë në çdo perimetër të qarkut të Beratit zbatimin e protokolleve të sigurirsë nga qytetarët e bizneset. Iu bëj thirrje qytetarëve të respektojnë me rigorozitet protokollet shëndetësore të sigurisë, me qëllim mbrojtjen nga infektimi me COVID-19”, tha Nallbati.