Republika Çeke do të rihapë duke nisur nga e mërkura kufijtë për udhëtarët që vijnë nga Britania e Madhe dhe Polonia, pavarësisht rritjes së rasteve me COVID-19 në territorin e saj, njoftoi sot ministri çek i Shëndetësisë, Adam Vojtech.
“Rajoni i Silesisë në Poloni ka kaluar në zonë të gjelbër, kështu që udhëtarët nuk do të kenë nevojë të paraqesin teste negative ose të kalojnë në një karantinë “, theksoi ministri para gazetarëve.
“E njëjta gjë vlen edhe për Britaninë e Madhe”, shtoi ai.
Republika Çeke mbylli të gjithë kufijtë e saj më 16 mars për të luftuar kundër përhapjes së koronavirusit.
Ajo i ka rihapur ato gradualisht që nga fillimi i qershorit me fqinjët e saj dhe shumicën e vendeve të Bashkimit Europian, përveç Portugalisë, qytetarët e të cilës do të lejohen të hyjnë nga e marta me një test negativ ose karantinë dhe Suedisë, që mbetet e klasifikuar si me rrezik të lartë.
Autoritetet çeke planifikojnë gjithashtu të vazhdojnë në territorin e tyre lehtësimin e masave të miratuara në mars për të luftuar kundër koronavirusit të ri, pavarësisht vatrave të lokalizuara.