Administrata e Presidentit amerikan Donald Trump tha se ka vendosur të zgjasë ndalimin e lëshimit të kartave jeshile jashtë territorit të Shteteve të Bashkuara deri në fund të vitit. Pjesë e këtij vendimi është pjesë e zgjatjes së ndalimit të lëshimit të vizave të përkohshme të punës, përfshirë ato që përdoren shumë nga kompanitë e teknologjisë dhe korporatat shumëkombëshe.
Administrata e justifikoi veprimin, duke e quajtur atë një mënyrë për të liruar vendet e punës në një ekonomi të goditur rëndë nga koronavirusi. Një zyrtar i lartë vlerësoi se kufizimet do të lironin deri në 525,000 vende pune për amerikanët.
Ndalimi, megjithëse i përkohshëm, do të sillte një ristrukturim të madh të sistemit të imigracionit të ligjshëm nëse do të bëhej i përhershëm, një qëllim që administrata e shmangu para pandemisë. Grupet e biznesit i kishin bërë presion të madh për të kufizuar shtrirjen e këtyre masave, duke thënë se shumë prej punonjësve të tyre janë thelbësorë.
Presidenti Trump kishte vendosur më parë një ndalim 60-ditor ndaj lëshimit të kartave jeshile jashtë vendit në prill, që pritej të skadonte të hënën. Vendimi kishte në shënjestër kryesisht anëtarët e familjeve të shtetasve amerikanë ose atyre me qëndrim të përhershëm në vend. Ngrirja e lëshimit të vizave jashtë vendit hyn në fuqi menjëherë. Ndryshimet e tjera, përfshirë kufizimet në lëshimin e lejeve të punës për azilkërkuesit, do të kalojnë përmes një procesi zyrtar të krijimit të rregullave merr një muaj kohë.
Administrata po propozon një mënyrë të re për dhënien e vizave H-1B, të cilat kanë një numër të kufizuar prej 85,000 në vit dhe përdoren nga gjigantët e teknologjisë indiane, si dhe kompanitë Amazon Inc., Microsoft Corp. dhe Apple Inc., tha zyrtari. Administrata dëshiron t’i lëshojë ato bazuar në pagën më të lartë të aplikuesve në vend të lotarisë.