Agjencitë e mëdha turistike dhe turoperatorët në Shqipëri kanë mesatarisht 1500 rezervime të hershme për pushime në vende të ndryshme të Europës dhe gjetkë e po ashtu turistë të huaj që kanë rezervuar për të pushuar në Shqipëri këtë sezon. Për shkak të pandemisë që shkaktoi bllokimin e lëvizjeve, këto pushime të rezervuara të cilat janë parapaguar nga turistët sipas kontratave për prenotime të hershme (që nga muaji dhjetor) në masën 50-100% duke përfituar uljet e deklaruara nga kompanitë e ndryshme nuk mund të realizohen. Por edhe kompanitë në këto momente nuk mund t’ua kthejnë mbrapsht klientëve paratë sepse nuk kanë likuiditet.

“Sepse paratë që unë marr nga klientët i dorëzoj tek hoteli, pjesën që i takon, i cili nuk i mban në xhep, por investon duke rikonstruktuar barin, për shembull, bën lyerje, dezinfektim, riparime etj, sepse duhet të jetë gati për sezonin. Edhe ne gjithashtu bëjmë investimet tona. Pandemia na ka vendosur në një kurth. Kështu që asnjë kompani nuk mundet të rimbursojë në këto momente këto shuma sepse ishte një situatë e pandodhur ndonjëherë që kur ka nisur turizmi të ekzistojë. Nuk është parashikuar në kontratat fillestare mes palëve diçka e tillë në asnjë vend të botës. Prandaj vendet e tjera europiane dhe në botë e kanë zgjidhur me akte normative që tu japin kohë kompanive të nisin nga puna për të rekuperuar likuiditet që të kryejnë rimbursimet. Italia e nënshkroi që në muajin mars, po ashtu edhe Turqia. Edhe ne aktorët e sektorit në Shqipëri e kemi kërkuar një gjë të tillë ndaj qeverisë”, shpjegon për Gazetën “Si” Sava Bardhi nga “Sava Tours”.

Akti normativ për marrjen e masave të përkoshme për mbështetjen e turizmit Qeveria ka gati një akt normativ për t’iu përgjigjur pasojave të pandemisë në një pjesë të sektorit të turizmit. Referuar draftit të Aktit Normativ që e disponon Gazeta “Si”, ai ka për objekt përcaktimin e masave të veçanta që do të merren në sektorin e turizmit, për agjencitë e udhëtimit, operatorët turistikë dhe klientët e tyre në ofrimin e një shërbimi udhëtimi, nga dita e shpalljes deri në përfundim të gjendjes së fatkeqësisë natyrore të shkaktuar nga COVID-19. Personat apo familjet që kanë prenotuar bileta apo paketa pushimesh do të rimbursohen përmes lëshimit të një kuponi (voucher) që korrespondon me të njëjtin shërbim dhe me të njëjtën vlerë parash të paguar/ rezervuar ose vlera/shuma totale që duhet t’i kthehet klientit për shërbimin e parapaguar ose të rezervuar.

“Operatorët turistikë apo agjencitë e udhëtimit të cilët në mënyrë të drejtpërdrejtë ose si ndërmjetës, kanë marrë përsipër t’u ofrojnë klientëve çdo lloj shërbimi udhëtimi apo një sërë shërbimesh të tjera ndihmëse, po ashtu që kanë lidhur kontrata ndërmjetësimi për shitjen e shërbimeve të ofruara nga furnizuesit e shërbimeve të udhëtimit dhe/ose kontrata konsulence me klientin dhe këto shërbime janë të parapaguara ose të rezervuara përpara shpalljes dhe gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore pavarësisht detyrimeve të parashikuara në kontratë, të kryejnë rimbursimin e tyre brenda një viti nga hyrja në fuqi e këtij Akti”, thuhet në draftin e Aktit Normativ.

Rrjedhimisht, klienti i një pakete udhëtimi apo dokumenti udhëtimi nga /apo nëpërmjet Agjencive të Udhëtimit ose operatorit turistik, për shërbimet e udhëtimit të parapaguara përpara shpalljes dhe gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore, pavarësisht detyrimeve të parashikuara shprehimisht në kontratë, përfiton rimbursimin e tyre brenda një viti nga hyrja në fuqi e aktit normativ. Në rast të pamundësisë së realizimit të kontratave të transportit të klientëve me mjetet e transportit ajror, si pasojë e masave kufizuese të ndërmarra për shkak të epidemisë së shkaktuar nga Covid -19, nga aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza”, transportit detar nga të gjithë portet në vend ose ujërave të brendshme, subjektet detyrohen të njoftojnë sipas rastit, respektivisht Agjencinë/ transportuesin/ akomoduesin ose organizatorin e paketave të udhëtimit/ klientin për pamundësinë e zbatimit të kontratave të transportit, duke bashkangjitur dokumentacionin që vërteton dokumentin e udhëtimit ose rezervimin e qëndrimit ose kontratat e paketave të udhëtimit.

Komunikimi bëhet brenda tridhjetë ditësh nga hyrja në fuqi e Aktit për shërbimet/kontratat, të cilat u ka përfunduar afati dhe datës së planifikuar të nisjes apo mbërritjes, për shërbimet/kontratat brenda afatit . Operatorët turistik ose agjencitë e udhëtimit, brenda tridhjetë ditësh nga komunikimi duhet të rimbursojnë dokumentin e udhëtimit dhe/ose paketën e udhëtimit nëpërmjet lëshimit të një kuponi (voucher) që korrespondon me të njëjtën vlerë totale që duhet të kthehet, duke i ofruar klientit mundësinë e përdorimit të kuponit për të njëjtin shërbim ose një të ngjashme, që i përket kontratës së ndërprerë, e cila do të përdoret brenda një viti.

Në rast se nuk realizohet shërbimi, operatorët turistikë apo agjencitë e udhëtimit duhet t’i rimbursojnë klientit vlerën totale të paguar. Nëse operatorët turistikë nuk kryejnë rimbursimet sipas aktit, ai parashikon gjobitjen e kompanive në vlerën 100.000 lekë, për çdo kontratë të parealizuar. Dhe gjoba e dhënë sipas këtij akti administrativ përbën titull ekzekutiv dhe të drejtën e vënies së gjobës e ka struktura inspektuese përgjegjëse e turizmit. Sava Bardhi e “Sava Tours” shpjegon për Gazetën “Si” se rishërbimi klientëve do t’u ofrohet në një periudhë të përshtatshme dhe të mundshme për ta. Në rast se ata realisht nuk munden t’i kryejnë pushimet ose udhëtimin brenda periudhës që parashikon akti normativ, ata do të rimbursohen në cash.

“Ne kemi shpresë për rekuperim, përndryshe do të ishim kredhur në dëshpërim. Sepse për shembull në agjencinë time ka klientë që rezervojnë pushime 5000 euro, nga të cilat ata kanë parapaguar 1000 euro dhe 4000 euro i kam paguar unë nga xhepi. Me këtë situatë unë duhet t’i kthej 1000 euro klientit dhe 4000 euro do të pres edhe unë rimbursimin. Është një situatë që nuk mund të mos shpresosh. Ne na nisin prenotimet e hershme që në muajin dhjetor dhe deri në fundqershor që kemi afatin e fundit të blerjes së paketave për pushime, arrijmë të krijojmë likuiditetin e nevojshëm për të kryer rimbursimet”, shprehet Sava Bardhi.