Trupat inspektuese të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) me fokus sigurinë ushqimore kanë kryer sot 438 inspektime në kuadër të Planit Vjetor dhe si pjesë e taskforcës antiCovid-19, duke këshilluar dhe ndërgjegjësuar bizneset ushqimore për rëndësinë e madhe që ka në këtë kohë respektimi rigoroz i masave kundër përhapjes së Covid-19. AKU njofton se gjatë inspektimeve janë dhënë dy masa administrative ndaj dy subjekteve për tregtim të ushqimit të pasigurt.
Po ashtu, janë asgjësuar 60 kg produkt akullore, të rezultuara pas analizimit me ngarkesë të lartë mikrobike enterobakteriesh. AKU thekson se, siguria e produkteve ushqimore sezonale dhe atyre me origjinë shtazore është në vëmendjen e veçantë të AKU-së, ku gjatë ditës së sotme, janë marrë 40 mostra për kryerjen e analizave laboratorike. AKU është çdo ditë në terren, për të mbrojtur shëndetin e konsumatorit, si dhe për të garantuar produkte të sigurta në tavolinat e çdo familjeje.