Trupat inspektuese të Autoritet Kombëtar të Ushqimit (AKU) kanë vijuar edhe gjatë ditës së sotme me rreth 300 inspektime dhe monitorime të kryera në terren, në operatorët e biznesit ushqimor, për zbatimin e ligjit për sigurinë ushqimore dhe protokollet kundër COVID-19. AKU bën të ditur se, gjatë inspektimeve të kryera në 24 orët e fundit është dhënë një masë administrative ndaj një subjekti për tregtim të ushqimit të pasigurtë si dhe janë asgjësuar 23.899 tonë produkte ushqimore të cilave u kishte kaluar afati i përdorimit me kërkesë të vetë subjektit.

Sipas AKU-së, vijon këshillimi i subjekteve ushqimore që të respektojnë me rigorozitet protokollin e sigurisë kundër përhajes së COVID-19. Bazuar në Planin e Marrjes së Mostrave, janë marrë 50 mostra në monitorimin e qumështit, si dhe në perime për monitorim pesticidesh. AKU është e pranishme çdo ditë në terren në garantim të sigurisë ushqimore dhe shëndetit të konsumatorit.