Nga Enkeleida Kapia/
Sot arrita ta shoh për herë të parë të plotë provimin e gjuhës dhe, tani që e pashë, arrij të mendoj më qartë dhe për kritikat që i janë bërë. Pa dashur të nënvlerësoj asnjë prej tyre, përkundrazi, në përpjekje për të mundësuar një vështrim të përgjithshëm mbi çështjet e prekura në to, mendoj që shumë nga këto kritika për pjesën e gjuhës a) më shumë se sa drejtpërdrejt me provimin, lidhen me gjendjen e shkencës dhe albanologjisë sot dhe b) mbështeten kryesisht në këto parime (mund të mos i kem lexuar të gjitha kritikat, por të paktën ato që kam lexuar):
Që testi i gjuhës duhet të jetë test që mat njohuritë gramatikore.
Që testi i gjuhës duhet të reflektojë arritjet e shkencave albanologjike.
Që testi i gjuhës duhet të testojë njohuri, shprehi dhe kompetenca përmes teksteve shqiptare (pra, që të jenë shkruar, jo përkthyer, në shqip).
Ndonëse kritikat e tipit (1) kanë të drejtë që kërkojnë që nxënësi të testohet edhe për njohuri gramatikore (sikurse kemi rënë vetë dakord vazhdueshëm si specialistë të shqipes gjatë viteve të fundit), duhet thënë që lënda e gjuhës sot nuk e përgatit nxënësin vetëm për njohuri gramatikore, por edhe për njohuri të strukturës së llojeve të ndryshme të teksteve letrare dhe joletrare dhe për mënyrën se si përdoret gjuha për t’i ndërtuar këto. Këtë e kupton qartazi po t’u hedhësh një sy të shpejtë programeve kurrikulare kombëtare. Shumë nga pyetjet e bëra në këtë provim lidhen me këto njohuri të cilat nxënësi i ka marrë në klasat e shkollës së mesme. Madje do të thosha që shumica e pyetjeve në pjesën e parë ishin strukturuar në mënyrë të tillë, që nxënësit t’i jepet mundësia të shprehë njohuritë pasive që ka duke i zbatuar në kontekste të ndryshme pune. Për shembull, te pyetja 1 qëllimi duket se është të dallohet nëse nxënësi e ka të qartë konceptin e temës dhe tezës, koncepte të cilat ai i ka marrë dhe rimarrë gjatë gjithë ciklit të shkollës së mesme. Nxënësit nuk i kërkohet të përkufizojë secilin term, por i kërkohet të përcaktojë se cila alternativë i përgjigjet njërit prej tyre. Të mos e fshehim që ky lloj testimi është ai që synojmë, jo vetëm për shqipen, por për të gjitha lëndët. Unë u gëzova kur pashë që e kemi shtrirë këtë lloj testimi dhe tek gjuha dhe kemi ecur përtej tipologjisë “më thuaj se ç’është kundrinori dhe ma gjej në fjalinë e mëposhtme” — edhe pse ka vend edhe për këto lloje vlerësimesh hera-herës. Jo se pasuria apo gjetja/mbushja leksikore e alternativave të ofruara nuk ka rëndësi, por, më duket që, në thelb, ngre pak peshë në atë që kërkon pyetja në këtë rast.
Për kritikat e tipit (2) më duhet me keqardhje të shprehem që albanologjia sot ka shumë pak përvojë dhe fond njohurish mbi albanologjinë e zbatuar, mbi të cilën stafet e institucioneve që hartojnë testet të kenë mundësi të mbështeten me bindje e siguri. Ajo që nënkuptoj këtu me mungesën thuajse të plotë të albanologjisë së zbatuar është mungesa e studimeve sistematike në rang kombëtar (apo institucional) për probleme që lidhen me mësimdhënien e shqipes në shkolla sot. Përpos studimeve të veçuara për këto çështje, nuk kemi studime me përfundime të njësuara që rregullojnë në mënyrë harmonike metoda të caktuara didaktike me probleme të caktuara të shqipes jo vetëm si strukturë dhe sistem gramatikor, por edhe të shqipes si mjet komunikimi për funksione të caktuara. Pra, unë do të thoja që, për aq kohë sa albanologjia do të merret vetëm me studimin e strukturës së shqipes, programet/shkolla/testet/librat/etj. etj. do të reflektojnë njohuri vetëm të kësaj natyre. Me sa jam në dijeni, këto programe e provime janë madje më shumë se ç’duhet pasqyruese të këtyre njohurive, për shkak të vendimeve që shteti (i të gjitha ngjyrave) ka marrë në konsulta të veçanta me specialistët e gjuhës anembanë vendit: si për shembull, gjejmë në programe pasqyrime të çdo temë të trajtuar në Gramatikën e Akademisë (si manuali autoritar i gramatikës së shqipes që njihet sot në botë) pa marrë parasysh që ai manual nuk është hartuar fare me fëmijën në mendje dhe me mënyrën se si mëson ai/ajo. Ose gjejmë në këtë test plot pyetje që matin vetëm njohuri gramatikore – gati gjysma e testit — njohuri të cilat mbështeten thellësisht në shkencat albanologjike dhe askund tjetër. Pra, të thuash që provimi i gjuhës nuk reflekton arritjet e albanologjisë, kur albanologjia nuk ka veçse arritje sporadike në studimin e shqipes në marrëdhënie me tekste të ndryshme dhe shqipen si mjet funksional e komunikativ, më duket kritikë e pambështetur. Por është e qartë, nga ana tjetër, që çka i ka dhënë albanologjia shqipes në shkolla sot, ky test e prek përmes një pjese të mirë të tij.
Po ashtu, jam dakord me kritikat e tipit (3), që duhen përdorur detyrimisht tekste shqiptare në provime, gjë që ky test e përmbush me sa pashë, por, këto kritika nuk arrijnë të shpjegojnë se ku çalon një test që përdor edhe tekste të shkruara fillimisht në një gjuhë tjetër. Nga përvoja ime personale me shkolla të ndryshme në vende të ndryshme si prind dhe specialiste, kam parë rëndom tekste të përkthyera në libra dhe provime. Më kujtohet një rast kur djalit tim në një detyrë kontrolluese në shkollën e tij në një vend të huaj, i ishte dhënë një tekst që fillimisht ishte shkruar në frëngjisht, por i përkthyer në gjuhën e vendit ku jetonim. A do të thotë kjo që vendi ku ishim nuk kishte tekste mjaftueshëm një gjuhën amtare? Jo, aspak. Thjesht autorët e asaj detyre kontrolluese menduan që ai tekst mjaftonte për të kontrolluar nxënësin për konceptet për të cilat po testohej (në këtë rast ishte ndryshimi midis fabulës dhe mitit). A do të thotë fakti që në këtë test të 2020-s u zgjodhën dhe disa paragrafë nga tekste të përkthyera në shqip se bota e letrave shqipe nuk ka mjaftueshëm tekste shqiptare? Jo, sigurisht që jo. Pse nuk u zgjodh atëherë një paragraf nga letërsia shqipe? Nuk e di përgjigjen me siguri, por ndoshta për larmi tekstuale, ndoshta për lehtësinë e ndërtimit të pyetjes, ndoshta për origjinalitet, ndoshta për të shmangur mundësinë e daljes së pyetjes dhe për rrjedhojë shmangies së kopjimit – ka shumë arsye pse mund të jenë zgjedhur këta paragrafë krejt të panjohur, por nuk më duket që ata në vetvete e bëjnë provimin të dobët sepse provimi prapëseprapë mat njohuri dhe kompetenca që nxënësit i kanë trajtuar. A ishte përkthimi i tij në nivelin e duhur? Ndoshta po, ndoshta jo. Këtë nuk e gjykoj dot, sepse mendoj që gjykimet për përkthimet janë deri diku arbitrare (pa dashur të them që nuk dallohet një përkthim i mirë nga një i dobët), por mendoj që përgjigjen për cilësinë e përkthimeve në botën e letrave shqipe nuk kemi pse ta kërkojmë te hartuesit e testeve të gjuhës. Përgjigjja duhet kërkuar tjetërkund, por jo tek hartuesit e testeve. Që bota e letrave shqip është e varfër me tekste, sidomos nga fondi joletrar, të përkthyera në një mënyrë që i bëjnë nder shqipes, dhe që janë të përshtatshme për mosha të ndryshme, këtë besoj e ndiejmë të gjithë në jetën tonë të përditshme. Megjithatë në rastin konkret, po të thellohemi te njëri prej tyre në test (tek ai i Turit se ai për Sarandën duket që është përzgjedhur qëllimisht me gabime që nxënësi të gjejë gabime të strukturës së gjuhës dhe të strukturës së tekstit në të) vërejmë që ai e përmbush rolin për të cilin është zgjedhur. Ky paragraf rrëfyes ka një stil të caktuar (nuk ka rëndësi nëse është stil i përkorë ose jo sepse nuk më duket që është zgjedhur të shprehë përsosmëri – në këtë prizëm mund t’i biesh stilit të çdo teksti/paragrafi) dhe nxënësit i duhet të zgjedhë një nga alternativat që e vazhdon paragrafin në të njëjtin stil. Pra, mua më duket që teston atë që në shkollë nxënësit e kanë mësuar si “logjikë teksti ose koherencë stilistikore e së tërës” brenda një stili të caktuar, që në këtë rast duket që është stili i tekstit rrëfyes/narrativ (ndoshta, libra të ndryshëm e trajtojnë me terma të ndryshme, por në thelb, rëndësi ka koncepti i tërësisë së një paragrafi brenda një stili të caktuar). Përzgjedhja leksikore, pastaj, e përdorur për të shprehur brendinë e këtyre teksteve është proces rikrijimi shkrues për të cilin nuk ka receta kaq të prera me thikë (zgjidh ‘veprim’ dhe jo ‘aksion’ për shembull, ose zgjidh ‘shikoj’ dhe jo ‘vështroj’), sidomos kur kemi të bëjmë me nocione kuptimore që burojnë nga dhe lidhen me qëllimin e përkthyesve në rrëfimet e tyre, qofshin këta edhe përkthyes joprofesionistë.
Në përfundim, mendoj që çështjet e detajuara të ngritura nga shumë profesionistë për provimin e gjuhës, mund të shërbejnë lehtësisht si trampolinë për zgjerimin e diskutimit në dy lëme të dobishme për shkencën albanologjike dhe arsimin shqiptar sot: a) në njohjen dhe mbështetjen e thelluar të shkollës shqipe si shkollë që përçon jo vetëm njohuri gramatikore të sistemit dhe strukturës së gjuhës, por edhe njohuri që lidhen me përdorimin e saj në rrethana të ndryshme tekstuale e komunikative, 2) në mënyrat se si mund të nxitet albanologjia për studime të fushës kërkimore të albanologjisë së zbatuar (qoftë edhe ato të përkthimit) me metoda empirike, në mënyrë që edhe politikat e praktikat e fushës së arsimit dhe të shëndetit të mund të mbështeten mbi to pa frikë.