Nga Ardit Rada
E gjitha çfarë ka ndodhur për muaj të tërë në tryezën për reformën zgjedhore duket se është zhbërë mbrëmjen e së dielës. Në fakt, vështirë se pritej një konsensus, teksa burimet nisën të zbardhin kërkesa të reja nga opozita që fillonin me identifikimin biometrik, e mbaronin te qeveria kujdestare.
Pra në thelb, opozita joparlamentare ka kërkuar një 17 Maj të dytë, për t’i dhënë asaj në prag të zgjedhjeve pjesë në qeveri. Këtë herë jo përmes ministrave teknikë, por të quajtur ministra kujdestarë…
E gjithë sorrollatja që ka shkaktuar PD dhe LSI duket se më tepër ka acaruar ndërkombëtar, përveçse i ka lodhur të gjithë. Tashmë që ambasadorja Juri Kim ka kërkuar të mos vendosen kushte të reja, nuk dihet sesi do ta justifikojë opozita deklaratën e saj. Kjo, pasi herën e fundit kur Kim foli për marrëveshje të fshehtë në kurriz të drejtësisë, të gjithë bënin si të habitur.
Pa përmendur Bashën që tha se s’e kishte marrë kurrë platformën e Metës, por e kishtë dëgjuar. Por sot, Yuri Kim, Luigi Soreca dhe Duncan Norman i britanikëve janë investuar sërish. Të bindur se reagimet e tyre nuk majftojnë, ata kanë zgjedhur t’i shkojnë Lulzim Bashës në zyrë në orën 15:00.
Kjo padyshim nuk është një ngjarje e bukur për kryedemorkatin për ta nisur muajin dhe javën e punës. Por të paktën ambasadorët nuk e kanë humbur shpresën që reforma zgjedhore të realizohet dhe për këtë po lëvizin gurët e fundit. Me gjasë, t’i dërgojnë Bashës në tryezë mesazhet që në publik nuk i artikulojnë dot. Nga ato mesazhet që mediat shpesh i përkthejnë si ultimatume.
Sepse në thelb, nga reforma pritej depolitizimi i administratës zgjedhore, ndonjë risi në teknologji, apo ashpërsim i ndëshkimeve penale. Dhe jo ‘qiqra në hell’. Ose të paktën kështu na është thënë në fillim.