Qeveria britanike ka zyrtarizuar nga e mërkura përdorimin e deksametasonit në terapinë kundër covid 19, pas rezultateve pozitive të testeve të publikuara një ditë më parë nga kërkuesit. Ilaçi, një anti inflamator steroid, me kosto të ulët, përdoret aktualisht për patologji të tjera dhe ka dëshmuar se mund të reduktojë rrezikun e vdekjes nga koronavirusi.

Edhe Organizata botërore e shëndetit bëri të ditur se po rishikon udhëzimet e saj klinike pasi një testim tregoi se një ilaç i lirë dhe i disponueshëm gjerësisht në treg, mund të ndihmojë në shpëtimin e jetëve të pacientëve të sëmurë seriozisht me koronavirus.

Trajtimi me doza të ulët steroidi, dexamethason, është një arritje e rëndësishme në luftën kundër virusit vdekjeprurës – thanë një ditë më parë ekspertët britanikë. Udhëzimet klinike të OBSH kanë si qëllim t’i mbajnë mjekët dhe profesionistët e tjerë të shëndetësisë të informuar me të dhënat më të fundit.

“Ky është trajtimi i parë që ka treguar se redukton vdekshmërinë tek pacientët me covid 19 që kërkojnë oksigjen ose që vihen nën ventilator”, tha shefi i OBSH. Rezultatet e testimit janë ende paraprake por ato tregojnë se dexamethasoni mund të reduktojë në një të tretën rrezikun e humbjes së jetës për pacientët në intubim.

Për ata në oksigjen ai e redukton rrezikun në një të pestën. Nëse ilaci do të ishte përdorur për trajtimin e pacientëve në Britaninë e Madhe që nga fillimi i pandemisë, mbi 5 mijë jetë njerëzish do të ishin shpëtuar – thanë kërkuesit. BBC, ka folur me një pacient që i ka mbijetuar covid 19 pasi ka marrë pjesë në testim. Ajo thotë se ndjehet jashtëzakonisht me fat dhe beson se do të kishte humbur jetën nëse nuk do të ishte trajtuar me këtë ilaç.