Nga Alfred Peza
Ka shumë shprehje të njohura në Shqipëri, që i shkojnë përshtat për analogji, diskutimit për situatën në të cilën ndodhemi për çështjen e votës së shtetasve tanë jashtë vendit. Debat ky që është rikthyer sërisht, tashmë që reforma e re elektorale, është në kulmin e diskutimit dhe po bëhet gati të shkojë për miratim në Parlament. Mbledhja e fundit e Këshillit të Diasporës, e riktheu edhe njëherë, në fokus të vëmendjes publike këtë çështje.

Njëra prej shprehjeve për këtë situatë të kujton filmin me Teto Ollgën, për fshatin që produktet e tyre ata të qytetit ia donin, por jo edhe vajzat për dhëndurët! “Zonja nga Qyteti” është pjesë e arkivit të filmave të socrealizmit tashmë, ndërkohë që në realitetin aktual të demokracisë pluraliste, ajo i shkon përshtat mënyrës së trajtimit të emigrantëve. Kemi 30 vjet që ia duam aq shumë remitancat, por jo edhe të drejtën e tyre kushtetuese, për të votuar!

Shqipëria ka një specifikë elektorale, e cila del më shumë në pah, sa herë që afrohet koha e zhvillimit të zgjedhjeve të radhës. Në listat tona elektorale që shpallen nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, numri i votuesve është zyrtarisht, rreth 3.5 milionë qytetarë. Ky numër është “paradoksalisht” më i madh, edhe se numri i përgjithsëm i qytetarëve, që banojnë aktualisht brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.

Po pse ndodh kjo? Sepse 1/3 e popullsisë së Shqipërisë, ose më shumë se 1 milion banorë kryesisht mbi 18 vjeç që gëzojnë edhe të drejtën për të votuar, jetojnë e punojnë jashtë vendit. Janë në emigracion, të shpërndarë, kudo nëpër botë. Një fenomen ky që ka nisur që në vitin 1990, me rrëzimin e komunizmit, e që vijon pa ndërprerje prej tri dekadash.

Për shkak të tranzicionit shumë të vështirë social- ekonomik dhe politik të vendit, e kalimit traumatik nga ekonomia e centralizuar e komunizmit në atë aktuale të tregut, të ardhurat e dërguara nga emigrantët për familjet e tyre, kanë qenë jetike për vendin. Në kulmin e tyre, këto të ardhura kanë arritur në shifra deri në mbi 1 miliard dollarë në vit, vlerë e jashtëzakonshme për tregun në përgjithësi dhe ekonomitë e varfëra të familjeve shqiptare në veçanti.

Përtej këtij fakti, e drejta e votës dhe e drejta për të zgjedhur dhe për tu zgjedhur, është një e drejtë kushtetuese, e patjetërsueshme për çdo shqiptar. Ndaj, klasa politike në Tiranë, e ka për detyrë, që ta përmbushë atë sa më parë. Partia Socialiste e ka patur dhe e ka votën e emigrantëve jo vetëm një premtim por edhe obligim, ndaj është shumë e vendosur, për ta përmbushur atë.

Marrëveshja për reformën e re elektorale e arritur në tryezën e Këshillit Politik, e ka adresuar për zgjidhje këtë çështje, me këmbënguljen e mazhorancës. Do të jetë Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, institucioni që do të marë në dorë, përgatitjet e gjithanshme për ta mundësuar këtë, në praktikë. Ekspertët politikë të PS kanë bërë publik një “road map” që adreson mënyrat e votimit e administrimit të votës së emigrantëve, bashkë me një draft rregullash e teknikalitetesh të tjera të nevojshme, për një proces kompleks si ky.

Pas kësaj, është thjeshtë çështje e vullnetit të dy poleve të tjerë politikë në lojë,- opozitës së re parlamentare dhe asaj të vjetër jashtëparlamentare,- që të ofrojnë opsionet e tyre konkrete, në mënyrë që ky proces kaq shumë i rëndësishëm të votohet dhe të eci më në fund përpara.

Edhe nëse nuk adresohet përfundimisht çdo detaj i kësaj çështje, e rëndësishme është që në zgjedhjet e prill- majit 2021, emigrantëve tu jepet patjetër mundësia që të votojnë. Hedhja e hapit të parë konkret në këtë drejtim, do të na mundësojë në proceset e ardhshme elektorale, që të mësojmë nga gabimet dhe mangësitë e deritanishme. Derisa pjesëmarrja në votime, e të gjithë emigrantëve tanë kudo në botë, të zgjidhet njëherë e përgjithmonë.

Hapi i parë është hedhur tashmë dhe ai duhet pasuar me të tjerë, pa humbur kohë. Vërtetë që është e vonuar, por jeta na ka mësuar, se asnjëherë nuk është vonë për të bërë gjëra të mira si kjo.