Hoteleritë në bashkëpunim edhe me operatorët turistikë në zonën e Durrësit, janë duke marrë të gjitha masat për pritur turistët vendas dhe të huaj për këtë sezon turistik, i cili do të mbyllet në datën 15 nëntor. Krahas protokollit të sigurisë, hoteleritë kanë nisur edhe aplikimet në “e-Albania” për stacionet e plazhit. “Jemi në fazë përgatitore. Kemi bërë restaurimin, dezinfektimin, masat mbrojtëse, sipas kërkesave për mbrojtjen nga COVID dhe tani presim turistët. Tashmë duhet të aplikojmë në e-Albania për të realizuar privatizimin e plazhit me qëllim për të vendosur sheslonget dhe çadrat. Jemi lidhur me një agjenci të huaj dhe presim të na vijnë turistët e parë me charter pas rezervimeve nga Booking dhe platformat të tjera, për atë pjesë të hotelit që nuk është rezervuar nga agjencia”,- deklaron për ATSH përfaqësuesja e një prej hotelerive në qytetin bregdetar.

Një tjetër hotelier vlerëson nismën e ndërmarrë për aplikime në “e-Albania”, duke theksuar se “ky është një favorizim që na bëhet pas problemeve që kemi pasur në të shkuarën”. “Hapja e kufijve është një lajm i mirë, pasi ne si subjekt kemi pasur kërkesa nga turistë nga rajoni”, shprehet ai. Edhe përfaqësues të tjerë hotelierë shprehen se kanë pasur rezervime për këtë sezon turistik duke shtuar se “lajmi i mirë i hapjes së kufijve ka sjell dhe komunikimet për rezervimet e reja. Kemi dezinfektuar ambientin dhe gjithashtu po zbatohen me përpikmëri të gjitha protokollet e sigurisë”.

Eduart Xhepa, Kryetarë i Shoqatës së Turizmit në Durrës tha për ATSH, se operatorët e turizmit po përgatiten dhe po marrin masat për mbarëvajtjen e sezonit turistik të rëndësishëm dhe me standarde si gjithmonë”. “Pati një rezultat mjaft të mirë demostrimi në e-Albania se si realizohet aplikimi online për stacione plazhi. Aplikimi ishte shumë i thjeshtë dhe me një kohë marrje leje 1 -2 ditë. Ne kemi kërkuar gjithnjë zgjatjen e sezonit turistik. Klimat është e favorshme në këtë drejtim. Vendet nordike e duan këtë klimë. Dhe lidhur me këtë mendojë që u bë një pakt shumë i mirë për ndryshimin e kohës së zgjedhjes, kur ato do kryhen ose para majit, ose pas tetorit. Zgjedhjet në qershor, që zgjasin deri në korrik ishin problem për ne si operatorë turistik”,- tha Xhepa për ATSH.

Zv/Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Florian Tahiri shprehet për ATSH se puna ka nisur për menaxhimin e plazheve. Kemi shtuar stafin tonë për pjesën e pastrimit dhe mirëmbajtjes. Është bërë pastrimi i leshterikut dhe po nis përpunimi i rërës. Me hotelet po bashkëpunojmë për mënyrën se si do të operojnë. Distanca mes çadrave do jetë 3.5 metra, pak a shumë sa ka qenë edhe në vitet e shkuara”,- tha Tahiri.