I dashur futboll, na ke munguar. Në fillim ka qenë Bundesliga, tani i takon La Liga-s, Serisë A dhe Premier League, plus kupave kombëtare, të rifillojnë marshimin. Nuk do të jenë Ligur 1 dhe kupat kombëtare franceze, por tifozët e futbollit do të kenë gjithsesi mundësi të argëtohen. Nga 11 qershori e deri më 30 qershor janë në program 145 ndeshje në 20 ditë, një mesatare prej 7,25 çdo 24 orë.

Fillohet të enjten me derbin e Sevilla-s, më pas i takon Kupës së Italisë, me Juventus-Milan, që do të luhet të premten, dhe në fundjavë me një tjetër javë të Bundesliga-s (që do të mbyllet në fundin e muajit ) dhe gjysmëfinalen tjetër të kthimit të Kupës së Italisë, Napoli-Inter, në program të shtunën në mbrëmje. Më 17 qershor do të rifillojë Premier League me ndeshjet e prapambetura Aston Villa-Shieffield United dhe Manchester City-Arsenal, më pas do të luhen 30 ndeshje në dy javë, katër prej të cilave do të jenë të Kupës së Anglisë në fundin e muajit. Ditët e vetme “pushim”, pa ndeshje, do të jenë 18 dhe 26 qershori. Me pak fjalë, rehatohuni, argëtimi nuk do të mungojë.