Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor Tiranë, po i nënshtrohet projektit të rehabilitimit të plotë të zyrave në infrastrukturën e brendshme dhe të teknologjisë, me qëllim përmirësimin rrënjësor të ofrimit të shërbimeve në kushte bashkëkohore dhe standarde cilësore për qytetarët.
Në kuadër të këtij projekti, investimi publik parashikohet të ndërhyjë në zgjerimin e ambienteve dedikuar hapësirave të shërbimit për qytetarët, zgjerimin e arkivave si dhe përmirësimin e sistemeve të teknologjisë, financime këto me impakt të drejtëpërdrejtë në adresimin e shërbimeve cilësore për publikun.
“Kërkojmë ndjesë për “rrëmujën” te DRSHTRR Tiranë, ku duhet të kryejmë punime, ndërhyrje, sistemime, hapje e zgjerime hapësira shërbimesh, salla, poste pune, zgjidhje për arkivën, të çojmë në vend tërë gjërat siç duhet në të mirën e qytetarëve por edhe të personelit në sportelet e shërbimit për eficiencën e fluksit, ndërsa vijojmë shërbimin”- njofton DRSHTRR.
Sipas DRSHTRR-së, rezultati final do justifikojë plotësisht investimin në ofrimin e një shërbimi më të mirë dhe lehtësimin e tij për qytetarët nëpërmjet akomodimit, komunikimit dhe teknologjisë.