Rimëkëmbja ekonomike nga pandemia ishte në fokus të konferencës së sotme online të organizuar për Këshillat e Investimeve dhe sfidat e COVID-19 nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj bëri të ditur se kishte diskutuar me zv/presidentin e parë të BERZH, Jurgen Rigterink dhe zv/kryeministren e Gjeorgjisë, Maya Tskitishvili lidhur me masat e nevojshme për përballimin e situatës dhe rimëkëmbjen ekonomike nga pandemia, rolin e Këshillit të Investimeve në Shqipëri dhe mbështetjen e BERZH për sektorin privat.
Tjetër çështje e diskutuar, tha Denaj, ishte edhe nxitja e reformave ekonomike për të zhvilluar Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (SME), Start Up duke mundësuar rritjen e konkurrueshmërisë, cilësisë dhe efektivitetit do të jetë në qendër të masave të ardhme të Qeverisë.
“Roli i politikave në ndihmë të dixhitalizimit dhe ekonomisë së gjelbër, mbetet i një rëndësie të veçantë për avancimin e aktivitetit të sipërmarrjes shqiptare, me ndihmën edhe të BERZH-t, përmes shërbimeve të konsulencës për bizneset, të dedikuara në veçanti drejt automatizimit dhe inovacionit”, deklaroi ajo.
Denaj informoi se në Këshillin e Investimeve, në fund të kësaj javë do të diskutohen masat e ardhshme për ekonominë, modelet e zhvillimit dhe masat për amortizimin e ndikimeve të COVID-19.