Sapo mbaroi Kupa e Italisë, është koha që skuadrat e Serie A të mendojnë për kampionatin. Napoli ia doli ta fitojë trofeun e parë sezonal në Itali, duke i dhënë një mësim e leksion të mirë Sarrit, Ronaldos dhe “Zonjës së Vjetër”. Në fakt, shumë ekipe tashmë kanë filluar të planifikojnë të ardhmen, me lëvizjet e reja në merkato. Në mesin e shumë të lakuarve është Lautaro Martinez, që kërkohet nga Barcelona me forcë. Ish-sulmuesi i shquar i Interit, Ronaldo, foli për këtë temë.

“Fenomeni” preku çështje të ndryshme para mediave, megjithatë nënvizoi ngulmimin e Interit kundër transferimit të mundshëm të argjentinasit: “Lautaro Martinez është një sulmues i shkëlqyer. Ai tashmë është në një ekip të madh, si Interi, por duket se do të jetë një verë e nxehtë merkatoje për të. Nuk mund të them se cili ekip, Barcelona ose Interi, është më i mirë për të, i uroj vetëm fat të mbarë”.