Rusia vlerëson se situata e tanishme ndërkombëtare e bën të domosdoshme rivendosjen e kontakteve me NATO-n. Në një intervistë për agjencinë shtetërore, TASS, zv.ministri i Jashtëm i Rusisë, Alexander Grushko, ka deklaruar se për të hedhur një hap përpara, Perëndimi duhet të zhvendosë rajonet stërvitore të veta larg vijës së kontaktit kufitar me Rusinë.

“Sot, nevoja për rivendosur kontaktet e punës në drejtimin ushtarak, që u ndërprenë nga NATO, është me qartë se asnjëherë më parë. Gjithësesi nuk ka patur përparim në këtë çështje”, është shprehur ai.

I pyetur mbi kërkesën për një takim të Këshillit NATO-Rusi, Grushko ka nënvizuar se takime të tilla nuk kanë ndodhur sepse nuk ka një marrëveshje mes palëve të interesuara, ndërkohë që sipas tij, ftesa e pak kohëve më parë rekomandonte diskutimin e situatës në Ukrainë, diçka pa vlerë, sa kohë NATO sipas tij nuk ka rol në këtë vend.

“Nuk ka një axhendë pozitive për Këshillin NATO-Rusi sepse NATO-ja ka ndërprerë të gjithë bashkëpunimin me Rusinë. Ne besojmë se një takim i Këshillit duhet thirrur kur ka një përgjegjësi për të bërë një kontribut real në përpjekjet për përmirësimin e sigurisë ushtarake në Europë. Takimi i kërkuar nga NATO për të diskutuar situatën në Ukrainë, është pa kuptim sepse NATO nuk ka një rol në zgjidhjen e konfliktit të brendshëm në Ukrainën.

Përveç kësaj vendet e NATO-s marrin pjesë rregullisht në debatet për këtë çështje në kuadër të OSBE-së, ndërkohë që Franca dhe Gjermania janë pjesë e grupit katërsh të Normandisë dhe ata i informojnë aleatët e tyre”, është shprehur Grushko.

Është e vështirë të gjendet një arsye pas kësaj qasjeje të Moskës, por ajo vjen në kuadër të përgjegjësive të saj për sigurinë në Europë dhe sidomos në kontekstin e një politike të jashtme që ka detyrim të shmangë keqllogaritjet dhe keqkuptimet në një rajon kufitar shumë problematik. Edhe pse Ukraina nuk mund të quhet “çështje e brendshme e saj”, por është një çështje ndërkombëtare.

Ftesa bëhet për NATO-n që përgjigjet për sigurinë ushtarake dhe ku fërkimet mes SHBA dhe partnerëve të vet tradicionalë janë të theksuara. Së fundmi diskutimi për Nord Stream ka nxjerrë më shumë në pah këto dallime, e megjithatë është pak spekullative që Rusia po kërkon të bëjë vetëm diversione me këtë ftesë.
Ajo që duket qartë tanimë është se as Rusia dhe as NATO nuk mund të mbajnë një situatë nën kontroll në vijën e trye kufitare pa bashkëpunim dhe me gjasë askujt nuk i intereson një gjendje e vazhdueshme tensioni.