Armando Sadiku shpreson që vitin tjetër të ketë mundësnë që të tregojë se sa vlen në La Liga, aty ku la diçka përgjysëm me Levanten, pa arritur të tregojë asnjëherë siç duhet vlerat e tij. Sulmuesi i përfaqësues shqiptare, në një intervistë për mediat zvicerane, ka treguar se si kishte kaluar pandeminë, por edhe pritshmërinë që kishte për të ardhmen e tij, duke mos fshehur se priste që të vishte përsëri fanellën e Luganos, klubit ku gjithmonë kishte shkëlqyer në Zvicër.

Kthimi në stërvijte – “Po stërvitemi me të gjithë ekipin prej pak më shumë se dy javësh dhe fizikisht jemi gati. Jemi të lumtur që mund të kthehemi te kompeticionet pasi kemi kaluar tre muaj të izoluar mes mureve të shtëpisë, të stërviteshim në shtëpi nuk ka qenë aspak e thjeshtë, por kam ndjekur fjalë për fjalë programin që stafi teknik dhe përgatitësit fizikë më kanë dhënë, duke e bërë sa më mirë që të ishte e mundur. Por prisja me padurim që të mund të vrapoja në ajër të pastër, edhe pse në stërvitjet e para kolektive më merrej pak fryma dhe kështu ishte për të gjithë”.

Paraqitjet te Malaga – “Deri tani kam luajtur të gjitha ndeshjet dhe jam i kënaqur nga paraqitjet e mia. Ndjehem mirë në aspektin fizik dhe kam filluar të luaj përsëri me vazhdimësi pas një periudhe mes dëmtimesh, kam qenë edhe me fat, pasi në Malaga cilësia e jetës është e lartë dhe kam arritur të ambientohem shumë shpejt”.

Përsëri në La Liga – “Jam besimplotë, pasi në këtë sezon kam marrë shumë telefonata nga drejtuesit e Levantes. Janë interesuar vazhdimisht për integrimin tim në skuadër, duke më komplimentuar kur luaja mirë, klubi më ka qenë gjithmonë pranë dhe kemi qëndruar në kontakt për çdo gjë. La Liga? Është padyshim një prej kampionateve më të bukura në botë dhe pres me padurim që të kthehem aty. Por dua ta theksoj se sa konkurruese dhe spektakolare është edhe Kategoria e Dytë, as nuk e kisha imagjinuar një gjë të tillë, ka shumë përkushtim ndaj fanellës dhe stadiumet janë të mbushura kudo”.

Paniku gjatë pandemisë – “Në fillim të pandemisë kishte pak informacion dhe nuk dihej se sa kohë do të kishim qëndruar pa luajtur. Pastaj kur e kuptova se çfarë po ndodhte, dëshiroja të kthehesha në Shqipëri, por nga njëra ditë në tjetrën mbyllën kufinjtë dhe nuk arrita të nisesha. Situata u përkeqësua në një kohë të shkurtër dhe u rrit shqetësimi, sidomos për shkak të numrit të lartë të të vdekurve që goditi Spanjën. Për fat të mirë asnjë pjesëtar i skuadrës nuk u infektua, kemi kryer katër herë testet dhe të gjithë kemi falë gjithmonë negativ”.

Etapë tjetër te Lugano – “Lugano është si shtëpia ime, ka disa persona me të cilët kam kaluar disa momente të paharrueshme dhe në aspektin sportiv jemi kualifikuar dy herë në Ligën e Europës, edhe pse mbetet keqardhja që nuk kam zbritur asnjëherë në fushën e lojës në atë turne me Luganon. Do të ishte e bukur që ta provoja përsëri një ditë. Sidoqoftë, me bardhezinjtë jam paraqitur gjithmonë mirë dhe të luaja atje ka qenë me fat për mua. Ndaj për të gjitha këto arsye, do të më pëlqente të kthehesha”.