U desh një fitore për Juventusin, që të kthehet atmosfera pozitive dhe mbi të gjitha të mbahej larg Lazio me Interin, dy konkurrentët e drejtpërdrejtë në garën për titull. Skuadra bardhezi fitoi 4-0 ndaj Lecce dhe aktualisht e sheh veten +7 pikë karshi bardhekaltërve. Maurizio Sarri, duke folur për mikrofonat e “Sky Sports”, pas bilbilit të trefishtë të fundit, komentoi atë që ndodhi në fushë:
“Pashë një lojë, që ishte fizikisht e lodhshme. Sidomos në fazën fillestare kemi pasur mjaft probleme me “karburantin”, por më tej pashë një mentalitet pozitiv, sepse vazhduam të sulmonim dhe të shënonim. Kjo është diçka që më pëlqen vërtet. Duke luajtur kështu, çdo tri ditë, është krejt normale të vuash në fillim. Pastaj e patëm më të lehtë në pjesën e dytë, sepse kundërshtari tregoi vështirësi fizike. Ne duhet të vazhdojmë me mentalitetin që treguam sonte. Testi i mbrojtjes ishte veçanërisht pozitiv. Mesfushorët, gjithashtu, bënë mirë. Pjanic tregoi rritje, ndërsa Rabiot e zëvendësoi atë për arsye taktike”.
Javët e fundit flitet shumë për largimin e mundshëm të Miralem Pjanic, si pjesë e një operacioni që do të sjellë Arthur në Torino. Fabio Paratici, duke folur para ndeshjes me Lecce, preferoi të mos e “humbë ekuilibrin”. Nga ana e tij, trajneri bardhezi shtoi: “Nuk e di nëse Pjanic nuk do të luajë më me Juventusin. Nuk kam marrë asnjë sinjal nga klubi për këtë gjë. Këto nuk janë gjëra që na interesojnë, merkatoja fillon vetëm në shtator. Shpresoj që ai të mund të qëndrojë me ne deri në fund. Pjanic është shumë inteligjent dhe i kupton situatat në ajër. Unë nuk di asgjë rreth kësaj çështjeje dhe nuk shqetësohem”.