Nga Artan Xh. DUKA – Prof. As. Dr.
Shpresën sot nuk e ushqejnë dot të pashpresët nga drejtësia ndaj dhe kuturisja në kohë epidemie për “gola” politik dhe spekullimi me të drejtat e liritë e qytetarit për interesa të mbrapshta të dikujt kur në lojë është fati e mbijetesa e gjithkujt, është jo vetëm iluzion por dhe “auto-gol” në politikë. Përveç jetës (vetëm në qofsh budist), për gjithshka tjetër që shkon e vjen, nga ekonomia, leku, shoqëria, shkolla, karriera, argëtimi etj, puna dhe pret! Vetëm jeta nuk ka shans të dytë dhe vetëm e drejta e jetës u jep jetë gjithë të drejtave.
Koronavirusi zuri mbarë botën në befasi dhe sot për sot synimi mbetet të blihet sa më shumë kohë, qoftë për vaksinën apo masat më efektive për parandalim e kurim. Me shpresa, stina e verës do të jetë në anën tonë por dhe kjo sa kohë mbarë shoqëria, politika e qytetarët pa dallim, bëjnë të tyren në betejën e përbashkët me këtë epidemi. Në kushtet e së panjohurës rreth koronavirusit dhe rrezikut potencial mbi jetën, mbyllja kishte llogjikën e saj. Ndoshta, më mirë teprim në panik sot sesa mosprishje terezie e keqardhje por që nuk pi ujë mot! Qeveria Rama bëri detyrën në këtë situatë dhe koha dhe krahasimi me vënde të tjera, tregon se e bëri mirë atë. Mbarë bota veproi në një situatë të pashëmbullt “errësire” dhe askush sot nuk mund të thotë me siguri, përfshi edhe gjithologët e PD, se cila do të ishte qasja më efektive ndaj këtij virusi që do të garantonte njëkohësisht mbrojtje maksimale të jetës dhe zhvillimit social-ekonomik.
Por, po aq sa nuk ka vënd për vet-përgëzim qeveritar sa kohë me transparencë dhe vullnet të mirë bën detyrën dhe ushtron përgjegjësitë që të janë besuar me votë, po aq nuk ka edhe vënd për spekullime politike, deri përgojim e anatemim apriori të punës së qeverisë dhe institucioneve shëndetësore përgjatë epidemisë. Mbyllja disa javore social-ekonomike ishte vërtet një barrë e madhe për të gjithë dhe është e kuptueshme që pasi kalon rreziku imediat për jetën, vëmëndja të spostohet tek fati punës, biznesit, rrogës, farefisit e shoqërisë, transportit, argëtimit etj. Virusi nuk pyet për librezë e militantizëm partiak Kryeministër sot qëlloi të ishte Rama por, në të tilla situata, kur e gjen nga natyra dhe jo dora e njeriut (ndonse natyra reagon ndaj abuzimit me të), kushdo që të kishte qënë, duhet të ishte i besuari i kujtdo dhe preferencat partiake duheshin lënë mënjanë. Ndaj, ata që sot përgojojnë e ofendojnë apriori dedikimin e punën e jashtëzakonshme për të shpëtuar jetë njerëzish nga sistemi shëndetsor dhe qeveria pas, dëshmojnë mjerim ekstrem politik e qytetar dhe janë të destinuar të mos ngjisin në publik. Me pandeminë nuk bëhet politikë e karrierë dhe donkishotizmi jo vetëm nuk shton pikë por humbet më tej.
Asgjë nuk është e përsosur dhe kritikat për përballimin e krizës janë normale por etika qytetare e politike e do që të thuhet edhe “puna e mbarë” për arritjet deri tani. Në mos për qeverinë “armike” të partisë tjetër që bëri detyrën për të gjithë votuesit pa dallim, për sistemin shëndetësor dhe profesionistët e fushës që ishin në vijën e parë të përballjes me epideminë që mbolli aq stres e panik qytetar këto javë. Një “punë e mbarë” ndaj tyre nuk është opsion por detyrim publik e historik. Sa për qaravitjet politike, demonizimin e mbylljes, sokëllitjet për “autokraci”, pozat e hall-qarësit dhe “supermenit” ndaj biznesit të paralizuar apo qytetarit të tulatur në të përditshmen, dështakët politik, të vet-shpallurit si fytyra e shoqërisë civile apo medias së “lirë”, janë të destinuar të llomotisin me vetveten sepse të gjithë e dinë që qeveria bëri atë që bëri jo për veten e saj por për të përmbushur detyrimin e saj në mbrojtjen e jetës gjithnjë nën tutelën e ekspertëve të fushës dhe përvojave më të mira në perëndim.
Nuk është hera e parë që vëndi përjeton trauma social-ekonomike dhe rigjen vetveten e ngrihet sërisht! Qoftë përballë natyrës apo akoma më keq, politikës së mbrapshtë të tranzicionit që sot, si i pashpresi që urren e vret shpresën, baton “varkën” ku jemi të gjithë. Sa për fallxhorët në politikë që paralajmërojnë mjerim ekonomik, afërmëndsh, si kudo në botë, edhe tek ne kjo epidemi do të ketë faturën e saj social-ekonomike por, po aq, në mos më shumë, ishte edhe fatura e dekadës së mbrapshtë ’90 me ndryshimin se atëhere pas mënxyrës ekonomike nuk ishte dora e natyrës por dora e politikës që nuk dha llogari kurrë. Vëndi ia ka dalë edhe më parë. Nga fillimvitet 90 kur me “urdhër peshku” u shkatërrua në masë pasuria kombëtare (uzina, fabrika, plantacione etj), papunësia ishte sheshit, kursimet qytetare në lek u zhvleftësuan brënda natës deri tek kriza e përgjakshme e ‘97 që asfiksoi rendin e sigurinë e jetës, shkatërroi pronën, largoi investitorët, firoi kursimet e popullatës, cënoi zhvillimin e biznesit pa dallim dhe për shumë gjatë. Një “mea culpa” nga të përfolurit e djeshëm që sot ndjellin krizën ekonomike të rradhës, do të ishte një hap për t’i bërë sadopak më të besuar sot ata.
Të drejtat e njeriut janë të shenjta por mbi të gjitha është e drejta e jetës dhe përpara se t’i kërkojmë llogari qeverisë për të drejtat rutinë, prioritet duhet të ketë e drejta e jetës. Dhe vetëm kur garantohet ajo, vetëm atëhere, me manifestim, argument dhe etikë qytetare, qeverisë i duhet kërkuar të garantojë edhe të drejtat e tjera me rradhë në kohë. Gjithnjë duke u nisur nga premisa se askush nuk mund të parashikojë të ardhmen dhe se detyra numër një e qeverisë është të garantojë të drejtën e jetës dhe të tjerat paskëtaj. Dhe kjo nënkupton mirëkuptim dhe besim reciprok mes palëve dhe jo kundërvënie motivuar nga fryma apo deliri politik apo interesi i politikës së mbrapshtë për anarki dhe sabotim të reformave demokratike në vënd. Me hapjen post-epidemi duhet të dalë në pah edhe përgjegjësia e vet-përmbajtja qytetare si për t’u mbrojtur nga vetvetja dhe tundimi i lirisë ashtu dhe retorika e politikës së mbrapshtë që me sabotimin e reformave në vënd gërryen shpresën e gjithkujt në emër të zullumit të dikujt.
Tashmë që vëndi po hapet, përgjegjësia kalon tek qytetari që të mos abuzojë me tundimin e lirisë duke neglizhuar distancimin social (shëtitjet, tundimi apo kompleksimi për t’u takuar e përqafuar si mesdhetarë që jemi, protestat vënd e pa vënd publike deri të sforcuara si ajo për teatrin kur Tirana e mbarë Shqipëria u bënë sheshe të përsheshit të politikës makute të tranzicionit etj) dhe provokuar, me apo pa dashje, një rikthim të situatës dramatike me pasoja përtej vetes.
Dhe në rast se syresh nuk dëshmojnë përgjegjshmëri qytetare dhe gjërat dalin jashtë kontrollit, “nuk doja” apo “nuk e dija” nuk janë argumente qytetare shfajësimi për kërkënd dhe ata që kritikojnë tkurrjen e lirive të përditshme gjatë, duhet të kalkulojnë se mbase për disa, ato masa ishin të nevojshme për t’u mbrojtur edhe nga vetvetja! Hapja dhe liria që vjen me të janë shans dhe test qytetar njëkohësisht për të dëshmuar se distancimi social nuk mbetet një fjalë goje por preokupim e përditshëm. Deri në afirmimin e një rutinë të re si pjesë e profilit të sjelljes qytetare të sjelljes në publik. Pa dalë nga natyra jonë mesdhetare miqësore por duke e shartuar atë sadopak me qasje “japoneze” jo vetëm në rastin e këtij virusi por dhe për stinat e virozat e gripit në përgjithësi me efekte vetëm pozitive në shëndetin publik, ekonomi etj.
Mbi të gjitha, argumenti dhe debati qytetar e politik në media nuk duhet të degradojë e tensionojë në një kohë që publiku pret vetëm mesazhin e qetësimit. Aq sa qeveria nuk ka pse pret mirënjohje nga kushdo për atë që është detyra e saj, po aq ajo nuk meriton përgojim për vullnetin e dedikimin ndaj mbrojtje së jetës së qytetarit pa dallim. Pandemia është tulatur por rreziku mbetet ende nëpër këmbë. “Letargjia” e virusit duhet të jetë shans për t’u përgatitur për më tej dhe jo përkeqësuar gjërat sërisht duke patur kujdes të mos e bëjmë si “lopa” duke kompromentuar pa qëllim gjithshka të mirë të arritur deri më tani. Dhe mbi të gjitha, kurrsesi për të mos degraduar në “kalova lumin, të … kalin” duke abuzuar me liritë e të drejtat e njeriut, mbi të gjitha atë të jetës, për pak pikëvarazh politik, sedër individuale apo profil mediatik. Mbase jemi akoma në “lumë” por edhe nëse matanë, askush nuk mund t’a thotë me siguri nëse nuk ka ndonjë tjetër më pas. Dhe të fundit që mund të dëgjohen janë politikanët e përfolur të tranzicionit që na kanë zhytur në “lumë” kaq herë në të shkuarën dhe që të kapur në abuzim dhe të pashpresë ndaj reformës në drejtësi, e urrejnë shpresën për normalitet demokratik dhe tentojnë t’a nëpërkëmbin atë për të gjithë.