Të gjithë turistët, vendas apo të huaj do mund të vizitojnë sitet e trashëgimisë kulturore gjatë këtij sezoni turistik me një çmim tejet simbolik.
Në mbledhjen e Komitetit të Turizmit mbajtur në Apoloni me tour operatorë dhe hotelierë, ministrja e Kulturës, Elva Margariti dhe ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi prezantuan paketën e re turistike sikurse është edhe ulja e çmimit të biletave në sitet kulturore.
Në fjalën e saj, ministrja Margariti theksoi rëndësinë e bashkëpunimit për rimëkëmbjen e turizmit pas pandemisë me të cilën u përball e gjithë bota.
“Kemi dalë me një paketë të re ofertash që vihen në vijim edhe të bisedave të bëra me të gjithë tur operatorët edhe për t’ju gjendur më afër ju sepse mendojmë se ky është momenti kyç që t’ju gjendemi pranë, pasi mendojmë fort që ky vit të kemi gjithmonë e më tepër një turizëm lokal e ndoshta do të kemi më pak turistë të huaj, megjithatë dhe në momentin që do të kemi turistë të tjerë të huaj, ne do t’i përgjigjemi me shërbime të reja në sitet tona”, u shpreh Margariti.
Ministrja tha se edhe në Berat kanë filluar tashmë paketat e kombinuara të biletave me audio grilën. Sipas saj, ulja e çmimit të biletave për të vizituar muzetë dhe parqet arkeologjike është një ndihmë e madhe ekonomike, duke iu përgjigjur kështu kërkesave të agjencive.
“Kemi arritur që vitin e shkuar të kemi mbi 1 milionë vizitorë dhe mendojmë që me këtë politikë të re dhe ato site që nuk kanë qenë të vizituara të bëhen sa më shumë pjesë e paketave tuaja. Kemi biseduar së bashku për disa muze, sikur dhe për Muzeun e Gjetheve që ka qenë një nga pikat ku dhe vetë tour operatorët kanë thënë që ju duket pak jo i aksesueshëm për paketat e tyre. E kemi arritur tashmë në një çmim thuajse simbolik dhe këtë e kemi bërë dhe për shumë site dhe mendojmë që kjo është zgjidhja e duhur për t’ju gjendur pranë në këto momente”, u shpreh Margariti.
Më tej, ministrja tha se pas shtatorit do të ketë paketat e reja që janë paketat e kombinuara me çmime të reduktuara vetëm për agjencitë.
“Kemi shtuar dhe kategori të reja që janë kategori 50 plus që janë për t’ju ardhur në ndihmë agjencive dhe ajo çfarë kemi bërë është promovimi i biletarisë online. Besoj se jemi të gjithë dakord që e ardhmja është e gjithë drejt dixhitalizimit besoj se dhe këto kohë e kemi treguar se aksesi dixhital ka qenë ai që na ka krijuar ura të reja bashkëpunimi dhe ne do të vazhdojmë të promovojmë akoma më shumë çmimin e biletës online”, deklaroi ministrja, duke shtuar se aty do të jetë aksesueshmëria më e madhe e tarifave të ulëta.
“Pra ndryshe do të jetë çmimi në sportele, ndryshe do të jetë çmimi online. Po punojmë që të kemi një kanal të dedikuar sidomos nga shtatori dhe më pas për të patur paketa kombo që i quajmë, që janë paketat e disa siteve bashkarisht”, tha ministrja Margariti.
“Pamdemia nuk na gjunjëzoi po na gjeti më pranë me njëri- tjetrin në këto muaj të kemi mundësinë akoma dhe më tepër të sjellim sa më shumë turistë dhe në ato site në të cilat ju nuk i keni sjellë më parë që të kemi pastaj dhe më tepër promovim nga shtatori dhe më pas dhe më shumë paketa kombo”, u shpreh Margariti.