Me lehtësimin e masave kufizuese të marra për menaxhimin e krizës së koronavirusit, po rritet në mënyrë të ndjeshme edhe numri i personave të infektuar. Po ashtu, është rritur edhe numri i personave të shtruar tek Infektivi. Për të folur më tepër rreth gjendjes aktuale në vend, e pranishme virtualisht në “Mbrëmja në Abc” ishte Silva Bino, shefe e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik. Tashmë që numri i të infektuarve është rritur sërish, e pyetur se si duhet të sillemi pranë dikujt që ka shenja të Covid-19, Bino u shpreh se kujdesin duhet ta tregojë personi që i ka simptomat.
“Çdo person që paraqet shenja klinike te ngjashme,duhet të vetizolohet, të marrë masa, të mos shkojë në punë e më pas të kërkojnë ndihmë shëndetësore, kryesisht te mjeku i familjes,” u shpreh Bino. Ndërsa, sa i përket parashikimeve për rritje të numrit të rasteve me lehtësimin e masave, Bino u shpreh se një ndikim kanë pasur edhe grumbullimet që u bënë në vend, në një kohë kur virusi nuk ishte larguar ende. Silva Bino: “Natyrisht nuk është një gjë e pritshme, por mund të presësh që të kesh një farë rritje te rasteve si pasojë e hapjes. Ne nuk patëm një hapje të thjeshtë. Pati grumbullime masive dhe mosrespektim të rregullave, virusi nuk ishte zhdukur. Po të shohësh grafikun, ne javët e para të majit, kemi dite që nuk kemi persona me shenja klinike, që është shumë e rëndësishme, për përhapjen..sëmundja ka qene nën kontroll, por nuk zhduket..”
Sa i përket rasteve mes mjekëve, Bino u shpreh se nuk ka asnjë mungesë të pajisjeve mbrojtëse, por një ndikim të madh mënyra e sjelljes. Ajo shtoi se ekziston një lloj neglizhence, por mund të ndodhë edhe në mënyrë aksidentale infektimi. Sa i përket sezonit veror që tashmë ka filluar, Silva Bino u shpreh se kjo nuk është koha kur duhen shkurtuar distancat. Silva Bino: Vera nuk është një rast i mirë për të ruajtur distancat. Dimri i shkurton distancat. Mund ta pish gotën e verës dhe ta ruash distancë. Jetojmë në një kohë tjetër. Na duhet qendrueshmëri.
Ndërsa, këshillat që jep shefja e departamentit të sëmundjeve infektive në ISHP janë këto: “Përqafimet nuk duhet të ndodhin. Kur prekim sipërfaqe, dezinfektantët duhet t’i kemi me vete. Maska duhet të vendoset vazhdimisht. Këto janë elemente tepër të rëndësishme. Edhe vetë si njerëz duhet të jemi të përgjegjshëm.”