Mbi 163 milionë lekë shënon deri tani vlera e aplikimeve të fermerëve nga 12 qarqet e vendit, në Skemën Kombëtare 2020, për të përfituar subvencione në bletari.

Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, bën të ditur se, 1 mijë e 447 fermerë kanë aplikuar për të përfituar nga masa e dytë e mbështetjes për bletari, nga totali i 7 434 aplikimeve që janë kryer deri tani nga fermerët për 7 masat që mbështet Skema që janë: Tufa bazë e matrikulluar; Bletaria; Financime për zëvendësim plastmasi termik; Mbjellje bimësh mjekësore dhe aromatike; Mbështetje për fermat organike; Certifikimi Global Gap; Investime në agroturizëm.

Aplikimet kryhen vetëm online në e-Albania dhe mbyllen 19 qershor 2020.
Qeveria sivjet subvencionon nga Skema Kombëtare sektorin e bletarisë, si një nga sektorët më të rëndësishëm. Sipas vendimit të qeveri për fondet e Skemës Kombëtare, subvencionimi në bletari parashikon 1 mijë lekë për zgjua për fermat që kanë jo më pak se 50 koshere, ndryshe nga viti i kaluar që ka qenë për 100 koshere.

Ulja e numri nga 100 në 50 koshere është bërë me qëllim për t’i dhënë një tjetër nxitje zhvillimit të këtij aktiviteti. Bletaria në Shqipëri ka një traditë të hershme. Mjalti i prodhuar në vendin tonë shquhet për cilësi kurative dhe vlera të larta ushqyese për shkak të natyrës dhe klimës që ka vendi ynë.