Mutacioni i virusit e bën atë më efikas për të hyrë në qeliza
Një mutacion gjenetik i koronavirusit që rrit ndjeshëm aftësinë e tij për të infektuar qelizat mund të shpjegojë pse numri i rasteve të reja në Italinë Veriore dhe Nju York ishte më i madh sesa në fillimet e pandemisë. Shkencëtarët në Scriptps Research në Florida thonë se virusi që ka pësuar mutacion është parë rrallë në mars, por deri në prill llogariten rreth 65% të rasteve të paraqitura nga e gjithë bota në bazën e të dhënave GenBank, nën varësinë e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë. Mutacioni rriti numrin e “pikave” që virusi përdor për t’u lidhur dhe për të shpërthyer në qeliza, dhe i bëri ato më të qëndrueshme, konstatuan studiuesit. Nga eksperimenti rezultoi se virusi që pësoi mutacion ishte afërsisht 9 herë më i efektshëm në depërtimin në qeliza dhe infektimin e tyre.
Studiuesit thonë se nuk ka shumë gjasa që virusi të bëhet më vdekjeprurës, por mund të jetë thjesht më efikas në përhapje. Në krahasim me mostrat e virusit pa mutacion, virusi që e ka pësuar një ndryshim të tillë ishte po aq i ndjeshëm ndaj trajtimit me antitrupa nga gjaku i pacientëve të shëruar.
Mushkëritë me probleme, “mikpritëse” të virusit
Të dhënat e reja japin një shpjegim mbi atë pse njerëzit me probleme të frymëmarrjes duket se janë më të prekshëm ndaj infektimit nga koronavirusi. Virusi shpërthen në qeliza përmes një proteine të receptorit në sipërfaqen e qelizave të quajtur ACE2. Njerëzit me probleme si astma, sëmundje pulmonare kronike, hipertension pulmonar dhe duhanpirësit kanë më shumë receptorë ACE2 në qelizat e mushkërive sesa njerëzit e shëndetshëm. Në analizën e kryer me 700 pacientë me probleme të tilla, studiuesit zbuluan se proteina të tjera përveç ACE2 ndikuan në “ciklin e jetës virale”. Kjo do të thotë që gjenet për ato proteina “mund të jenë potencialisht të rëndësishme për ciklin e qelizave SARS-CoV-2 dhe “pushtimin” e qelizave të shëndetshme. Këto gjene të tjera mund të jenë gjithashtu “objektiva të mundshëm për trajtimin dhe parandalimin e rasteve të rënda të COVID-19”, thonë studiuesit.
Virusi jeton në pajisjet mbrojtëse, “mbreti” është pambuku
Një studim i ri thekson rreziqet e mundshme të trajtimit të pajisjeve mbrojtëse personale (PPE) pas përdorimit nga punonjësit e kujdesit shëndetësor që janë në frontin e luftës kundër koronavirusit. Studiuesit kontaminuan tetë lloje të ndryshme pajisjesh mbrojtëse me virus, duke përfshirë dorezat e ekzaminimit mjekësor, dorezat kimike të përforcuara, maskat N-95 dhe N-100, mbulesat e bëra nga Tyvek (një tekstil i zakonshëm në veshjet PPE), plastike, etj. pambuku, dhe çelik inox. Në kushtet eksperimentale, virusi potencialisht infektues ishte akoma i pranishëm – megjithëse në nivele jashtëzakonisht të ulta – pas 21 ditësh në mbrojtëset plastike, 14 ditë në sipërfaqet prej çeliku inoksi të veshjeve, 7 ditë në dorezat nitrile dhe 4 ditë në dorezat kimike rezistente. Por vetëm një orë pasi grimcat e virusit u aplikuan në pëlhurë 100% pambuku, sasia e virusit aktiv ishte ulur me 99.9%, dhe ishte plotësisht e padukshme në më pak se 24 orë. “Këto rezultate kanë rëndësi të drejtpërdrejtë me praktikat e parandalimit të infeksionit, pastrimit dhe protokolleve të trajtimit të mbeturinave në mjediset e kujdesit shëndetësor”, thonë studiuesit. “Këto rezultate sugjerojnë që përdorimi i copave të pambukut në mjediset e kujdesit shëndetësor mund të paraqesë një rrezik më të ulët gjatë trajtimit për dekontaminimin dhe ripërdorimin e mëvonshëm.