New York Times kërkoi ndjesë për lajmin e botuar një ditë më parë, sipas të cilit të shtunën presidentin serb Aleksandar Vuçiç do të takohej me kreun e administratës amerikane, Donald Trump. Gazeta prestigjioze amerikane sqaroi sot se ky takim nuk do të ndodhë.
“Në një shkrim të ditës së hënë lidhur me presidentin Aleksandar Vuçiç, është bërë një deklaratë e gabuar se ai do të ketë takim në Shtëpinë e Bardhë këtë javë. Ai ka planifikuar që të takohet me Richard Grenell, të dërguarin special të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin, por jo me Presidentin Trump”, shkruan New York Times në sqarimin e saj. Vuçiç një ditë më parë u takua në Moskë me Vladimir Putin, i cili, siç tha ai, i konfirmoi se do të vizitojë Serbinë në muajin tetor për hapjen e Tempullit Shën Sava.
Presidenti serb, që ndodhet në kryeqytetin rus për një vizitë zyrtare gjatë së cilës ishte planifikuar dhe pjesëmarrja në paradën ushtarake të 75-vjetorin e fitores mbi fashizmin në Luftën e Dytë Botërore, shtoi se dy liderët biseduan për një sërë temash, por mbi të gjithë mbi Kosovën dhe situatën në rajon. Vuçiç tha se ka marrë analiza të mira dhe këshilla të caktuara nga Putin. Të enjten, ai udhëton drejt Brukselit për të biseduar me zyrtarët më të lartë të BE-së, e më pas do të niset drejt Uashingtonit, për takimin e ndërmjetësuar nga Richard Grenell, i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi.