Covid-19 dhe rregullat e imponuara nga ky virus do të shoqërojnë futbollin shqiptar deri në fund të këtij sezoni të çuditshëm. Protokolli sanitar do të vijoj të prodhoj debat dhe paqartësi siç ndodhi edhe në sfidat e para post Covid-19 dhe siç shoqëroi vigjiljen e javës së 28-të ku dukshëm nuk ka një koordinim të mirë ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë, Federatës Shqiptare të Futbollit por dhe vetë klubeve. Shembulli tipik ishte rasti i Tiranës me bardheblutë që u detyruan ti nënshtrohen testeve për coronavirus që solli më pas paqartësi nëse do të luhej apo jo sfida me Luftëtarin në program këtë të diel në orën 17:00.

Pas transfertës kundër Bylis, të gjithë negativ, bardheblutë kërkojnë të nisin mbarë edhe fazën e katërt dhe të fundit, transfertën në Gjirokastër. Egbo dhe të besuarit e tij do të përpiqen të dalin më pikë të plota nga kjo sfidë duke shpresuar gjithashtu që Partizani të ndal Kukësit. Në stadiumin “Selman Stërmasi” luhet dhe sfida më e rëndësishme e kësaj jave teksa përballë janë dy ekipe që kërkojnë fitoren me çdo kusht, Kukësi për mbajt të hapur në letër garën titull ndërsa Partizani për të ruajtur të gjallë shpresën për të siguruar një vend në Europë.

Në orën 17:00 luhen dhe dy sfida shumë të rëndësishme në garën për një vend në Europë. Pasi arritën të merrnin një pikë në Laç, Teuta kërkon të bëj të njëjtën gjë edhe përballë Bylis. Për Bylis kjo është gjithashtu një sfidë shumë përcaktuese për fatet e sezonit, një tjetër hap fals do ti zhyste gjithnjë e më shumë në zonën “play out”. Përballë një Vllaznie pa trajner dhe me shumë halle, Laçi ka mundësi të shlyej sot pikët e lënë përballë Teutës. Me një ritëm të ngjashëm me Tiranës, Skënderbeu kërkon këtë të diel të ruaj ecurinë pozitive, 5 fitore në 5 ndeshjet e fundit. Në letër, luajnë në transfertën më të lehtë, atë kundër Flamurtarit një kundërshtar i dorëzuar prej kohësh. Çdo rezultat tjetër përveç fitores do të zhbënte çdo gjë të bukur që ekipi i Ilir Dajës ka arritur deri më tani.