Serbia sot mbajti zgjedhjet e përgjithshme, për të cilat u votua edhe në mjediset e banuara me shumicë serbe në Kosovë. Në Serbi, mbi 6,5 milionë banorë kishin të drejtë vote që të zgjedhin parlamentin e ri prej 250 deputetësh. Ata po ashtu votuan për përbërjen e re prej 120 anëtarësh të Kuvendit të krahinës autonome të Vojvodinës si dhe për udhëheqjen lokale -167 sosh.
Në tri komunat jugore të Serbisë, në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, për herë të parë, pesë partitë shqiptare garuan në një listë të përbashkët. Në Kosovë, misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) “grumbulloi” votat e shtetasve serb, të cilat më pas do të dërgohen në Vranjë dhe Rashkë për numërim. Sipas OSBE-së, në Kosovë, të drejtë vote në këto zgjedhje kanë pasur 95,334 qytetarë. Këtë formë të votimit dhe transportimit të votave nga Kosova, Gjykata Kushtetuese e Serbisë e ka cilësuar si jokushtetuese.
Votimi në Kosovë për zgjedhjet në Serbi, u mbajt në kohën kur autoritetet shëndetësore po regjistrojnë rritje të numrit të të infektuarve me koronavirus. Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti deklaroi se ka lejuar që të mbahen votimet për zgjedhjet serbe, sipas praktikave të mëhershme. Votuesit, si në Serbi, ashtu dhe në Kosovë, janë detyruar që të vendosin maska dhe të ruajnë distancën gjatë procesit të votimit –si masa mbrojtëse kundër koronavirusit. Ndërkohë të dhënat deri në orën 19:00 thonë se në total në Serbi kanë votuar 45.5% e votuesve. Kujtojmë se Serbia është vendi i parë në botë që mban zgjedhje në kohën e një pandemie globale.