Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se beson fuqishëm në përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për të mundësuar arritjen e marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë. Ai i bëri komentet pas homazheve tek memoriali i ushtarëve të rënë të forcave të KFOR-it, gjatë luftës në Kosovë. Thaçi ka theksuar se shteti i Kosovës ka hequr të gjitha pengesat për rifillimin e dialogut me Serbinë “Besoj në zotimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që do të ndërmarrin hapat e duhur në veçanti pas heqjes së të gjitha barrierave që e pengonin fillimin e dialogut Kosovë-Serbi nga ana e qeverisë së Kosovës, tash Serbia nuk e ka asnjë pretekst, përkundrazi çdo vonesë i atribuohet asaj.
Sipas tij, Kosova në këtë proces duhet të jetë e bashkuar dhe pa dallime politike.
Roli i presidentit të vendit është ai që ka qenë gjithmonë, presidenti i vendit përfaqëson vendin brenda dhe jashtë, dhe ai që e lexon Kushtetutën dhe e di këtë rol shumë qartë, përgjegjësia dhe hierarkia institucionale e Kosovës është e qartë mbi çdo aspiratë, ego apo injorancë”
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është pezulluar nga nëntori i vitit 2018, kur qeveria e atëhershme vendosi taksën 100 për qind mbi mallrat serbe. Asokohe ishte presidenti Hashim Thaci në krye të negociatave, ndërsa kryeministri i ri i kosovës, Avdullah Hoti, ndërsa prezantonte platformën e tij për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë tha se ky dialog do të zhvillohet në bazë të Kushtetutës se Kosovës dhe se atë do ta udhëheqë kryeministri i vendit. Hoti tha se integriteti territorial i Kosovës do të jetë i padiskutueshëm, organizimi kushtetues dhe shtetëror po ashtu dhe marrëveshja duhet të jetë në frymën e kushtetutës.