Titulli i këtij sezoni në La Liga duket se do të vendoset në javët e fundit të kampionatit, ndërsa rivaliteti mes Realit të Madridit dhe Barcelonës nuk mund të kalojë pa polemika.
Reali mori një fitore të vuajtur mbrëmjen e së dielës në transfertë ndaj Sociedad-it, ndërsa shpërthyen edhe polemikat për dy raste të diskutueshme, në penalltinë e fituar nga Reali dhe në golin e shënuar në fund nga Benzema.
Përveç vendasve dhe mediave në Spanjë, për arbitrimin në këtë ndeshje reagoi edhe trajneri i Barcelonës, i cili foli edhe për rivalitetin mes dy klubeve.
“Atë që ndodhi dje me VAR-in e pa e gjithë bota dhe nuk ka nevojë ta komentoj unë. Nuk e di pse disa aksione rishikohen në VAR dhe disa të tjerë jo. Megjithatë, gara për titullin është ende e hapur dhe unë besoj se do t’ia dalim. Tani nuk na lejohen më gabime deri në fund, por e njëjta gjë vlen edhe për Realin.
E kemi nisur mirë këtë periudhë post-pandemi, pasi kemi marrë dy fitore dhe një barazim, ndërkohë që kemi shënuar 6 gola dhe nuk kemi pësuar asnjë. Skuadra prodhon lojë dhe jam i kënaqur”, u shpreh trajneri i Barcelonës.