Trajneri i Argjentinës: Lautaro do të rritej si lojtar përkrah Messit në Barçë Trajneri i ekipit kombëtar të Argjentinës, Lionel Scaloni, beson se ylli i Interit, Lautaro Martinez, do të përfitonte nga ta luajturit përkrah Lionel Messi, mes spekulimeve të vazhdueshme për një transferim në Barcelonë. Lautaro Martinez raportohet se mund ta lërë Interin gjatë afatit kalimtar të verës për të kaluar te kampionia në fuqi e La Ligës, Barcelona, transmeton Gazeta Express. S ulmuesi argjentinas i shënoi 16 gola në 31 ndeshjet e zhvilluara në të gjitha garat për Interin gjatë sezonit 2019/20, para se të gjitha aktivitetet sportive të ndërpriteshin në mars shkaku i koronavirusit.
Si rezultat i paraqitjeve të tij në Serie A, Martinez shihet si zëvendësuesi i përsosur për Luis Suarezin, i cili në janar i mbushi 33 vjeç. Ndërkohë, edhe Lionel Messi e ka lavdëruar bashkëkombësin e tij, përkundër që ka insistuar se nuk është në dijeni nëse dy palët janë në negociata për një transferim gjatë verës. Mes këtyre spekulimeve të vazhdueshme për yllin argjentinas të Interit, edhe trajneri i tij në ekipin kombëtar, Lautaro Scaloni, u pyet për të ardhmen e 22-vjeçarit. “Nëse ai luan me Messin, ai do të jetë më i mirë. Nuk kam asnjë dyshim për këtë. Përpos kësaj, më vonë, ai do të duhet të luftojë për pozitën e tij, ashtu siç bëri edhe në Inter”, ka thënë Scaloni.
“Ne duhet të jemi të qetë. Nëse ai i ndryshon klubet, ndoshta nuk i duhet të jetë titullar i padiskutueshëm dhe kjo nuk do të ndikojë te ne, për aq kohë sa ai të ketë mjaftueshëm minuta loja për të qenë në formë të mirë”. “Ai e ka një të ardhme të madhe, por ka ende shumë për të dhënë nga vetja”.