Pas Petrelës, Zallbastarit, fshatit Qeha dhe Pëllumbasit, Bashkia e Tiranës transformon edhe qendrën e fshatit Baldushk, duke përfshirë rrugën, sheshin, zyrat e Njësisë Administrative dhe qendrën e kulturës. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, vlerësoi se krahas rregullimit të qendrave urbane, po punohet edhe për përmirësimin e infrastrukturës në zonat rurale. “Sot është një ditë e bukur për të qenë në Baldushk, një zonë tërësisht e transformuar. Dikur kishte me pirgje dherash, inertesh dhe ndërtime pa leje, tani ka fituar një qendër fshati. Nuk është sheshi “Skënderbej”, por nuk ka asgjë mangët nga një shesh që mund të shohësh në një fshat të Italisë apo Greqisë. Kështu kemi bërë edhe në qendër të Petrelës, në Qeha, në Zallbastar, në Farkë etj”, tha Veliaj.
Ai u shpreh se këto investime mund të ishin bërë shumë më herët nga kreu i opozitës kur ishte në qeveri e bashki, por ai nuk e pati asnjëherë vullnetin. “Është një lajm i shkëlqyer që lideri i opozitës del nga vilat e oligarkëve dhe shkon në Shqipërinë reale. Besoj se është lajm fantastik që kundërshtari ynë po del nga zona rezidenciale, nga vilat e oligarkëve dhe po shikon aty ku punon dhe ku jeton Shqipëria reale”, tha ai. Veliaj i dha një këshillë miqësore kreut të opozitës, i cili ngatërroi Baldushkun me Farkën. “Ne nuk mund t’i japim njohuritë bazë të gjeografisë, pra kur je në Baldushk, je në Baldushk dhe jo në Farkë; nuk mund t’i japim dot informacion për çmimet, e di gjithë Tirana se çmimi i ujit nuk është më i shtrenjtë se çmimi i qumështit, përveçse kur je Lul Basha që e lan makinën me Evian. Por, në një familje normale, kur fatura e ujit është 65 lek/metër kub, i bie 1 mijë shishe litroshe me 65 lekë, sa gjysma e një litër qumësht”, thotë Veliaj.
Teksa siguroi se ky transformim do të vijojë në të gjitha njësitë e Tiranës, ai tha se ka nisur puna për një mandat të tretë të Edi Ramës kryeministër. Ai shtoi se promovimi i turizmit rural do të marrë më shumë vëmendje dhe theksoi se zyrat e bujqësisë do të shkojnë pranë fermerëve. Mandej, Veliaj dha lajmin e mirë për familjet e prekura nga tërmeti, të cilat do të marrin në kohë rekord edhe pagesat cash. “Nga java tjetër nisin pagesat e tërmetit. Lajm i mirë për familjet, lajm i mirë edhe për politikat në vend, krahasuar me atë që sot del nga vilat e oligarkëve dhe e kupton se partisë së tij, kur ishte ministër, i duheshin 10 vjet për të dëmshpërblyer qytetarët e Shkodrës nga përmbytjet. Pra u desh të vinte qeveria e Edi Ramës për t’ua dhënë paratë. Ndërkohë, ne na është dashur më pak se 10 muaj për pagesat cash”, u shpreh kryebashkiaku.
Në emër të banorëve, deputeti i PS, Xhemal Qefalia falenderoi Bashkinë e Tiranës për investimet në të gjitha zonat periferike. Sipas projektit, janë realizuar punime për rehabilitimin e rrugës që të çon në qendrën e njësisë, si dhe janë ndërtuar kanalizime dhe është vendosur edhe ndriçimi.