Kush do që të kandidojë për deputet duhet të zhvishet nga detyra e kryetarit të degës së Partisë Demokratike në rrethe. Është ky udhëzimi i ri i selisë blu e cila i ka vendosur edhe një afat, të dorëhiqen brenda 5 ditëve nga miratimi i udhëzimit. Prej ditës së enjte e deri më sot kryetarët e kanë marrë një vendim tashmë. Report Tv ka kontaktuar disa prej tyre. Por sa të gatshëm janë të besuarit e strukturave të heqin dorë për ambicie politike nga pozicioni aktual në parti?

Ai që ka konfirmuar dorëheqjen deri tani për Report TV është kryetari i Partisë Demokratike në njësinë nr5, Ndricim Babasi, i cili thotë se do t’i nënshtrohet rregullave të reja të diktuara të enjten në mënyrë zyrtare, por sipas tij, të njohur më herët për krerët e degëve.

“Përsa i përket kandidimit të krerëve të degëve, në këndvështrimin tim, është shumë normale që t’i nënshtrohemi procesit të votimit në strukturë në mënyrë të barabartë me kandidatët e tjerë që vijnë nga baza. Personalisht kam qenë dhe jam dakord me këtë udhëzim për Kryetarët dhe Sekretarët e degëve në momentin që ata shprehin dëshirën për të qenë pjesë e garës. Shpreh dëshirën time që të jap kontributin tim nëse Kryesia e Partisë Demokratike e vlerëson që i plotësoj kushtet për të qenë pjesë e garës vendore dhe qendrore”, tha Babasi.

Nuk ndajnë të njëjtin këndvështrim kryetarët e degëve të Partisë Demokratike në Vlorë e Shkodër. Për ta dorëheqja shihet si një ambicie që tejkalon misionin për mobilizimin e strukturave, ndaj kanë vendosur të mos largohen nga detyra.

“Nuk e kam menduar që të jap dorëheqjen! Kam angazhim maksimal në drejtimin e degës së PD në Vlorë. Kam angazhimin maksimal në mobilizimin e të gjithë burimeve tona njerëzore në nxitjen e mbështetjes për aksionin opozitar. Më shumë sesa për funksionet individuale, jam i angazhuar në politikë për të realizuar një ndryshim të madh që presin shumica e demokratëve. Rezultati pozitiv në Vlorë është Sfida ime e vërtetë”, u shpreh Genc Deromemaj

Kreu i Partisë Demokratike në Shkodër, Xhevdet Amulli thotë se edhe nëse do të propozohet nga anëtarësia, do të çojë deri në fund mandatin 4 vjeçar që i është besuar nga strukturat e Partisë Demokratike në bazë.

“Nuk do të dorëhiqem nga pozicioni në degën e PD në Shkodër. Edhe nëse propozohem nga anëtarësia, heq dorë menjëherë. Do ta coj deri në fund mandatin time 4 vjeçar që më është besuar në krye të degës së PD në Shkodër”, tha Amulli. Me këtë proces, Partisë Demokratike do t’i duhet që para se të shkojë në garë elektorale, të gjejë garuesit e denjë përballë kundërshtarëve politikë.

Udhëzimi do të lërë jo pak degë në rrethe pa kryetar e kjo duket se është edhe formula që do të riformatojë strukturat e Partisë Demokratike.