Pas dy tërmeteve dhe pandemisë COVID-19, Tirana po i rikthehet normalitetit duke ecur me procesin e rindërtimit, por edhe bashkëpunimin me biznesin për shtimin e ndihmave për familjet në nevojë. Kompania “Shell” ka kontribuar sot me ndihma për plotësimin e nevojave në magazinën e rezervave të emergjencave në Tiranë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj falenderoi kompaninë “Shell” dhe përfaqësuesin e saj në vendin tonë, Rohan d’Souza për kontributin dhe theksoi se pandemia na tregoi se sa e nevojshme është të pasurit rezerva për situata emergjente.
Veliaj nënvizoi se falë ndihmës së biznesit, Tirana është më e përgatitur për çdo situatë emergjente për muajt e ardhshëm. “Me këtë ndihmë kemi 1000 paketa ushqimore një mujore, në një vit kur zbuluam se ishte shumë e rëndësishme të ishim të përgatitur, duke menduar më të keqen. Në këto 100 vite të Tiranës kryeqytet kemi parë ditë të shkëlqyera, siç kemi parë që gjëra që nuk kishin ndodhur në 100 vjet, na ndodhën në 10 muaj si tërmeti apo pandemia. Lajmi i mirë është që me shokë mund ta kalojmë këtë situatë. Ndaj, kemi sot një kontigjent të jashtëzakonshëm ndihme nga kompania Shell, për t’u siguruar që Tirana të jetë e përgatitur për muajt në vijim”, tha ai.
Kryebashkiaku shtoi se shumë shpejt nis puna për rindërtimin e shtëpive të dëmtuara nga tërmeti i nëntorit, ndërsa po bëhet edhe pagesa cash për familjet me dëme më të lehta. “Jam i lumtur që kemi mbaruar të gjitha shtëpitë e tërmetit të shtatorit. Tani do të nisim me rindërtimin e shtëpive të nëntorit me të njëjtën cilësi dhe shpejtësi me të cilën ndërtuam shtëpitë e shtatorit. Ndërkohë, lajmi i mirë është se kemi kaluar pagesat për DS1, DS2 dhe DS3”, u shpreh ai.
Veliaj nënvizoi se dëmshpërblimi për banorët e prekur nga tërmetet po bëhet në kohë rekord. “Mbaj mend kur u përmbyt Shkodra, u desh të vinte qeveria e re të jepte lekët pas 10 vitesh. Sot jemi si dita me natën. Fakti që brenda 10 muajve japim paratë është diçka e jashtëzakonshme. Ndaj, duhet t’i ftojmë të gjithë qytetarët të përgatiten për këto kontrata, që të fillojnë punimet e tyre, të shfrytëzojnë periudhën korrik-gusht për meremetimet. Infrastruktura më e madhe që kemi ndërtuar në këto vite nuk është sheshi “Skëndërbej”, as Bulevardi i Ri, as Liqeni, as Lodrat, as Pazari, as Kalaja, por infrastruktura e zemrave; se çfarëdo që të ndodhë në Tiranë, ngrihemi menjëherë në këmbë dhe ecim përpara”, tha ai.
Përfaqësuesi i “Shell” në vendin tonë, Rohan d’Souza vlerësoi si thelbësor bashkëpunimin me Bashkinë e Tiranës dhe siguroi se ky angazhim do të vijojë edhe në të ardhmen. “Ne jemi në Shqipëri që prej vitit 2016. Kemi kënaqësi të japim kontributin tonë si pjesë e shoqërisë shqiptare. Shumica e veprimtarive tona janë të lokalizuara në Berat, por ne kemi një zyrë qendrore këtu në Tiranë dhe e shohim partneritetin tonë me Bashkinë e Tiranës si diçka thelbësore. Në situatë pandemie dallohen kush janë miqtë e vërtetë. Ne jemi miq të mirë të Tiranës”, theksoi ai.
Gjatë gjithë periudhës së pandemisë, Bashkia e Tiranës dhe rrjeti i saj i vullnetarëve vijuan shpërndarjen e ndihmave për familjet në nevojë edhe në zonat më të largëta.