Komisioni i Venecias i ka dhënë dritën jeshile miratimit të paketës anti-shpifje për mediat, një ligj i shumëdebatuar në 6 muajt e fundit. Në seancën e fundit parlamentare për vitin 2019, mazhoranca miratoi dy projektligje si pjesë e të ashtuquajturës paketa ‘anti-shpifje’, e cila vendos zgjeron kontrollin e AMA-s edhe në fushën e mediave online. Projektligjet u kthyen në Parlament për rishikim si jo kushtetuese nga Presidenti Ilir Meta. Më 30 janar mazhoranca e përmbysi veton e presidentit për ligjin “Për komunikimet elektronike’, ndërkohë që nuk e votoi ligjin “Për media audiovizive”, duke u shprehur se do të priste opinionin e Komisionit të Venecias.
Ndërkohë, opinioni përfundimtar i Venecias jo vetëm që nuk ka hedhur poshtë ligjin si anti-kushtetues, por ka përkrahur nevojën e një ligji të tillë për rregullimin e tregut të mediave elektronike në Shqipëri. Midis përfundimeve kyçe, Venecia vlerëson se ligji është konsultuar gjerësisht me publikun, subjektet e interesuara dhe partnerët ndërkombëtarë. Gjithashtu, Venecia çmon se autoritetet shqiptare kanë qenë transparentë në përmirësimin e tekstit të projektligjeve. Ndryshe nga sa pretendon opozita, që sulmon ligjin si një mjet për të “censuruar shtypin” (edhe pse ligji i referohet specifikisht vetëm fake-neës) Venecia thekson se ligji është në përputhje të plotë me praktikën gjyqësore të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Në opinionin e tij, Komisioni i Venecias vlerëson vetëm se ligji ka nevojë për disa përmirësime, por jo për t’u abroguar, ashtu siç pretendon opozita. Midis përmirësimeve të sugjeruara është ai i përcaktimit më të saktë të fushës së zbatimit, duke përjashtuar blogjet online, rritjen e garancive për ruajtjen e anonimatit në internet, pavarësinë politike të AMA-s, si dhe mundësinë për të ngritur një procedurë më efikase dhe më të shpejtë të trajtimit të ankesave. Në fund, Komisioni i Venecias inkurajon autoritetet shqiptare të mbështesin krijimin e një organi vetë-rregullues të pavarur që funksionon në mënyrë efektive dhe që përfshin të gjithë aktorët përkatës të komunitetit të mediave.