Arturo Vidal ka pranuar atmosferën e çuditshme të ndeshjeve me dyer të mbyllura, duke insistuar se është e vështirë të përqendrohen pa praninë e tifozëve të Barcelonës. Skuadrat tani duhet të përshtaten me stadiumet boshe, por motivimi gjatë lojës nuk mund të jetë si më parë. Vidal ngulmon në këtë gjë: “Është situatë e çuditshme dhe e ndërlikuar, që nga gjërat që duhet të bëjmë para ndeshjeve deri te protokollet fikse, pasi janë gjëra që nuk mund t’i imagjinonim më parë. Nuk e përjetojmë më karikimin që merrnim nga tifozët, që kur mbërrinim në stadium, as gjatë lojës. Tani atmosfera ka ndryshuar plotësisht. Pa motivimin e tifozëve është shumë e vështirë të përqendrohesh. Futbolli ka të bëjë me atmosferën që krijojnë tifozët”.

Barça e rifilloi La Liga-n me dy fitore (ndaj Mallorca dhe Levante), por barazoi me Sevilla të premten, duke humbur kreun e La Liga-s. Athletic Club është kundërshtari i radhës së katalanasve, të martën në mbrëmje. Vidal pranon se kampionët e Spanjës në fuqi duhet ta ngrenë lojën e tyre për ta mbajtur ritmin e Real Madridit: “Do të jetë një ndeshje mjaft e fortë. Duhet të përmirësohemi, sepse kundërshtari i radhës është shumë i ndërlikuar”.